“Unë punoj për shikime, jo për klikime”, ishte një nga frazat e gazetarit Milaim Zeka në intervistën që dha për podcastin ‘PPP’ nga Pamfleti.
Në ‘Zona Zero’, emisionin e shumë ndjekur të tij, gazetari i ‘shkollës së vjetër’ sjell jo vetëm personazhe interesante por edhe tema që prekin drejtpërdrejt interesin qytetar. Duket se suksesi po e ndjek, ku jo vetëm shikimet por edhe klikimet tregojnë se, në kohët ku më shumë shihen sherret në emisionet reality, se një personalitet që ka diçka për të thënë, në interes të komunitetit për më tepër.
Shkaku i këtij shkrimi nuk është për t’i bërë ‘qokën’ Milaimit, siç mund të aludojë dikush, por për të risjellë në vëmendje faktin se intelekti nuk ‘del kurrë nga moda’, pavarësisht se në ç’kohë anormale jetojmë.
Një ‘shkollë e mirëfilltë gazetarie’, Milaim Zeka shquhet për sinqeritetin e tij, mbase të ‘tepruar për disa’, shumë burrëror për disa të tjerë që ende vlerësojnë tiparet e një gazetari që nuk ‘tutet’ nga presionet.
Po, Milaim, ty nuk do të të pëlqejë që po bëjmë konstatime, por në këtë rast nuk po të pyesim, sepse suksesi yt është i dukshëm edhe në statistika, por edhe në veshët tanë, që më në fund nuk dëgjojnë pallavra, por gjëra që ia vlejnë të dëgjohen.
Aq më tepër na pëlqen të shohim në ekrane profesionistë që nuk përpiqen të hiqen sa më të zgjuar, por dëgjojnë me vëmendje dhe dinë të bëjnë moderatorin dhe jo analistin, të ftuarin dhe filozofin. Sigurisht, kur mos të na pëlqejë ndonjë gjë nga ty, do ta themi, me të njëjtin sinqeritet që po shkruajmë tani mbi profesionalizmin tënd. Jemi të sigurt që do mirëkuptohemi gjithsesi. /Pamfleti