2025/11/12
Banner Top

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ua kishte bërë të vështirë jetën zyrtarëve të ministrisë.

Gjuhë ofenduese, presion e kërcënime të ndryshme, kanë rrëfyer ata në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e rezervave.

I pari dhe më brutali ishte gjuha e përdorur ndaj Udhëheqësit të Divizionit për Rezerva, Hafiz Gara, që është i akuzuar në këtë rast. Gara ka treguar se si ministrja Hajdari e kishte quajtur “idiot”. Të gjitha këto, janë deklarata në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, të ngritur nga prokurorët Valdet Gashi e Milot Krasniqi.

“Në pyetjen e avokatit mbrojtës të tij, se a kishte qenë i kanosur dhe i shantazhuar ndonjehere me vendin e punës gjatë kësaj periudhe kohore nga ministrja Rozeta Hajdari dhe sekretari Irfan Lipovica, konkretisht për suspendim dhe largim nga puna, i pandehuri ka pohuar se përgjatë takimeve me ministren, e njëjta e kishte ofenduar me fjalët më banale, duke e quajtur idiot, i pa aftë dhe i pa pērgjegjshëm, duke aluduar në realizimin e kontratave që janë nẽ proces të hetimit”, thuhet në aktakuzë.

Por, ky nuk ishte rasti i vetëm. Kishte edhe disa raste të tjera ku dëshmitarët e këtij procesi, kanë treguar për presionin që kanë pasur nga Rozeta Hajdari.

Në një takim që dëshmitari Ermal Kutllovci kishte pasur me ministren Hajdari dhe një pjesë të stafit të saj, ajo kishte përdorur gjuhë të rëndë. Kjo pasi Kutllovci i kishte alarmuar qysh më parë lidhur me shkeljet ligjore që po bëhen me rastin e rezervave. Madje, Kutllovci ishte zyrtari i vetëm që nuk kishte pranuar të nënshkruante një deklaratë konfidencialiteti.

E në takimin e vitit 2023, Rozeta Hajdari i kishte kërcënuar me burg. Më pas, i ishte drejtuar me gjuhë të ashpër. “Mbylle gojën, mendimi yt nuk më intereson fare, kur jam unë këtu ti nuk flet”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Pasi dëshmitari kishte vazhduar të fliste, ndaj tij ishte iniciuar masë disiplinore, madje ishte larguar edhe nga vendi i punës, por që më pas ishte kthyer me vendimin e Këshillit të Pavarur Civil.

Edhe dëshmitari tjetër Ekrem Avdyli, zyrtar në MINT, tregonte si ministrja Hajdari e kishte kërcënuar me largim nga puna.

“Ju moti keni filluar me këto kërcënime dhe shtrëngime, dhe Hafizi më ka thënë se atij i kishit thënë me më largu nga puna. Jam i gatshëm të shkoj në shtëpi, por nuk kam forcë të merrem me këto shtrëngime”, ka thënë ky dëshmitar në aktakuzë.

Në bisedë e sipër, ky dëshmitar e pyet ministren pse nuk e kanë konsultuar zyrën ligjore. Rozeta Hajdari i ofendon rëndë zyrtarët e zyrës ligjore. “Çfarë zyre ligjore, krejt llama janë ata”, thuhet më tutje.

Një tjetër zyrtar ndaj të cilit Hajdari kishte përdorur ofendime të njëjta, ishte zyrtari Enver Hajrullahu i cili nuk pranonte të nënshkruante fatura pa kontratë. Dëshmitari i kishte thënë ministres se ai punon me ligjet e Kosovës. “A ligjet që mi ki ti”, ia kishte kthyer ajo, sipas aktakuzës.

Në një prej takimeve më vonë, Hajdari ishte kapur keq me zv/sekretarin Arbër Gegaj. “Arbër Gega ii kishte thënë jo ai por t’i duke iu drejtuar ministres, duhet ta dërgosh Emailin, dhe këtu kishte nisur konforntim verbal mes tyre, me të cilin rast Gegaj kishte dalur i revoltuar nga takimi dhe kishte dhënë dorëheqje”, thuhet në aktakuzë.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment