Rusia është e gatshme që t’i rifillojë bisedimet e paqes me Ukrainën në Stamboll, citohet të ketë thënë të mërkurën një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Moskë, sipas raportimit të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.
Asnjë takim sy më sy nuk është zhvilluar mes dy palëve që nga ai i mbajtur më 23 korrik në qytetin turk. Agjencia TASS e citoi zyrtarin Alexei Polishchuk të ketë thënë se zyrtarët turq në mënyrë të përsëritur kishin bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve të paqes, transmeton agjencia “Reuters”.
“Ekipi rus është gati për këtë, topi është në fushën e Ukrainës” – tha Polishchuk.
Ukraina i mohon akuzat e Rusisë se Kievi ka faj për ngecjen e procesit të paqes, kur lufta po i afrohet 4-vjetorit.
Në takimin e 23 korrikut, i cili kishte zgjatur vetëm 40 minuta, pala ukrainase kishte propozuar që të mbahej një takim tjetër në gusht mes dy presidentëve, Volodymyr Zelensky e Vladimir Putin.
Kremlini më pas kishte thënë se Putini ishte i gatshëm që të takohej me Zelenskyn, por vetëm në Moskë – kusht që u refuzua nga Ukraina.


