Dy gra vdiqën të enjten në mbrëmje në spital në qytezën Tuzla të Bosnjës, duke e çuar në 15 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga zjarri në një shtëpi për të moshuar më herët këtë muaj, tha të premten zyra e prokurorit të Tuzlës.
Zjarri shpërtheu të martën e 4 nëntorit në katin e shtatë të ndërtesës, ku viktimat ishin akomoduar. Dhjetë njerëz vdiqën gjatë natës nga thithja e monoksidit të karbonit dhe pesë të tjerë vdiqën ditëve në vijim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dhjetë persona të tjerë janë duke u trajtuar ende dhe njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, thanë zyrtarët e spitalit.
Zjarri ishte shkaktuar nga një lidhje e shkurtër në dhomën e njërit prej banorëve, sipas zyrës së prokurorit.
Ky institucion tha se do të vazhdojë hetimi për ta përcaktuar përgjegjësinë për rastin.



