2025/11/14
Banner Top
Disa të vërteta për Hashim Thaçin dhe ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë

Një shkrim i Gjekë Gjonlekajt ka rikthyer vëmendjen te figura e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe roli i tij gjatë viteve të luftës dhe shtetndërtimit. Gjonlekaj kujton se Thaçi ishte vlerësuar gjerësisht në arenën ndërkombëtare, duke përmendur librin “New State, Modern Statesman”, botuar në Londër, ku parathënia i ishte besuar senatorit amerikan Bob Dole, ndërsa vlerësime në kopertinë kishte dhënë edhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Senatori Dole e përshkroi Thaçin si një prej figurave kyçe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Ai vuri në dukje rolin e tij në Konferencën e Rambujesë, kompromiset e vështira dhe qasjen e re politike që ai solli në vitet pasluftës. Sipas tij, udhëheqja e Thaçit dhe gjeneratës së re të UÇK-së i dha Kosovës mundësinë të thërriste aleatët ndërkombëtarë për veprim.

Gjonlekaj kujton takimet me Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij, Fatmir Limajn dhe të tjerët, duke theksuar se ata kishin deklaruar se nuk kishin kryer veprime që binin ndesh me Konventën e Gjenevës. Ai përmend edhe mënyrën si Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte trajtuar në mediat amerikane gjatë luftës, ku disa prej gazetave më të mëdha e kishin portretizuar si forcë çlirimtare dhe jo terroriste.

Në shkrim ngrihet edhe çështja e mbështetjes së pamjaftueshme institucionale dhe fetare për ish-udhëheqësit që aktualisht ndodhen në Hagë. Gjonlekaj vlerëson figurën e Jakup Krasniqit, duke kundërshtuar pretendimet për veprime antikatolike dhe duke përmendur rastet kur ai kishte marrë pjesë në ceremonitë fetare për Nënë Terezën.

Ai sjell në vëmendje mbështetjen që Thaçi kishte marrë ndër vite nga liderë botërorë. Ish-presidenti i Kosovës ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Joe Biden. Ky i fundit e kishte cilësuar Thaçin si “George Washingtonin e Kosovës”. Po ashtu, Papa Françesku kishte shprehur vlerësim për të, sipas tij.

Gjonlekaj kujton se edhe në vitin 2016, gazeta The New York Times kishte botuar një artikull të gjatë për jetën dhe karrierën e Thaçit, ndërsa një komision i Kongresit Amerikan kishte propozuar emrin e tij për Çmimin Nobel për Paqe.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment