Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar ftesën e Bashkimit Evropian për një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Vuçiq zyrtarisht e ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin.
Ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar si kusht për takim. E për dallim prej tij, kryeministri kosovar nuk e vuri kusht lirimin e tre policëve kosovarë të marrë peng nga Serbia.
Kurti vetëm tha se shtensionim i situatës nënkupton lirim të policëve dhe dënim të agresionit të Serbisë për këtë rast.
“Unë së pari erdha t’ju njoftoj me këto të gjetura që janë interes i madh edhe i familjeve, edhe në opinion. Jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë se deskalimi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”.
Kurti përsëriti se normalizimi nënkupton zbatim të menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike.
“Jam i interesuar që të paraqes gjithë dokumentacionin e Kosovës për këtë krim që është bërë ndaj tre policëve, familjeve të tyre dhe Republikës sonë. Deeskalimi drejt paqes nënkupton drejtësi. Ne duam edhe drejtësi ndërkombëtare, jo veç atë në Kosovë”.
Ndërkohë, Vuçqi tha se nuk do të ulet në një tryezë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deri sa të lirohet çdo serb i arrestuar dhe pa u dorëhequr të katër kryetarët e komunave veriore.
Vuçiqi ka pretenduar se “serbët po maltretohen në Kosovë”.
“T’ju them, nuk flej natën, asnjërit nuk i kam thënë se çfarë kërcënime i janë dërguar Serbisë nëse nul lirohen shqiptarët”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq madje ka shkuar aq larg, sa që ka thënë se policët e kidnapuar po hanë, “rrush, ëmbëlsira e Coca-Cola”.
Në një konferencë për shtyp bashkë me kryeministrin hungarez Viktor Orban, presidenten e atij shteti, Katalin Novák dhe kryeministren e tij Ana Brnabiç, Vuçiç tha se në 11 vite dialog në Bruksel ka marrë pjesë në të gjitha takimet.