Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë, ka deklaruar se njëjtë si në rastin e Klan Kosovës do të veprojnë edhe ndaj atyre bizneseve që siç thotë ajo nuk janë të regjistruara konform Kushtetutës së Kosovës.
Por, ajo ende nuk ka folur për vajin e paguar të rezervave shtetërore që nuk ka ardhur ende në Kosovë, ndonëse është paguar.
Ajo në këtë mënyrë ka kërcënuar dhjetëra biznese se i pret fati i Klan Kosovës.
Qeveria që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim për pezullimin e çertifikatës së biznesit të Klan Kosovës, veprim që po kundërshtohet nga gazetarë të vendit, por edhe nga ata ndërkombëtarë – si dhe QUINT ka dalë me qëndrim se janë brengosur për synimin e Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën.
Në Kosovën e pasluftës nuk është mbyllur asnjë televizion, rasti aktual po cilësohet si cenim i lirisë së medias.
Por, Hajdari teksa arsyeton mbylljen e Klan Kosovës thotë si “në rastin” e Klan Kosovës kanë identifikuar edhe 48 biznese të tjera.
‘Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, ka shkruar Hajdari në Facebook, të dielën.
Por sot në orën 12:00 në Prishtinë do të ketë protestë të gazetarëve dhe shoqërisë civile para objektit të Qeverisë kundër mbylljes së Klan Kosovës.