Greqia është në bisedime me Izraelin për të blerë sisteme raketore moderne që do të përdoreshin për një mburojë të planifikuar të mbrojtjes ajrore kundër aeroplanëve, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy zyrtarë që kishin njohuri për planin.
Athina ka thënë se do të shpenzojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për t’i modernizuar forcat e armatosura, përderisa po del nga kriza buxhetore e periudhës 2009 – 2018 dhe po mundohet që ta mbajë ritmin me rivalen e saj historike, Turqinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rreth 3 miliardë euro do të shfrytëzohen për të ndërtuar një sistem shumështresësh kundër aeroplanëve dhe dronëve, i quajtur “Mburoja e Akilit”. Greqia gjithashtu planifikon që të blejë aeroplanë të rinj luftarakë, luftanije e nëndetëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.
“Ne duam që të blejmë 36 sisteme artilerie PULS dhe sisteme kundërajrore për “Mburojën e Akilit”. Bisedimet me Izraelin do të intensifikohen muajin e ardhshëm” – tha një zyrtar, duke shtuar se kompanitë greke do të ofronin rreth 25 për qind të punës në projekt.
Kostoja e 36 sistemeve të artilerisë, të prodhuara nga kompania izraelite “Elbit”, vlerësohet 650 milionë euro, tha zyrtari grek, duke shtuar se ato do të përdoren për t’i mbrojtur kufijtë lindorë të Greqisë me Turqinë.
Greqia dhe Izraeli kanë lidhje të forta ekonomike dhe diplomatike. Dy vendet kanë kryer disa ushtrime të përbashkëta ushtarake viteve të fundit dhe operojnë një qendër të trajnimit ajror në jug të Greqisë.
Një zyrtar tjetër grek konfirmoi se bisedimet ishin duke u zhvilluar. Ministria e Mbrojtjes e Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Sipas këtij zyrtari, Greqia vitin e kaluar kishte shprehur interesim për të blerë sisteme moderne kundërajrore e të artilerisë nga Izraeli, por operacionet ushtarake izraelite në Gaza i kishin shtyrë diskutimet.



