Gjeneralmajor Andrey Averyanov, i cili drejton Njësinë e Operacioneve Sekrete të GRU-së, thuhet se është pasardhësi i Yevgeny Prigozhin në krye të Grupit Wagner. Ky është njeriu që dyshohet se është i lidhur me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, të cilët u gjetën gjysmë të vdekur në një stol në Salisbury, Britani në vitin 2018.
Averyanov u pa në korrik në Samitin Rusi-Afrikë, ku u prezantua me liderët afrikanë. Tashmë ka dyshime se gjeneral-lejtnanti rus do të marrë detyrën e kreut të organizatës në kontinentin afrikan.
Sipas kryetares konservatore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Alicia Kearns, e cila foli për iNews, gjenerali Averyanov mund të drejtojë Wagner-in dhe shtoi se “Putini nuk mund të përballojë të humbasë aksesin në burimet natyrore të Afrikës, sepse pasuria e saj i lejon atij t’i mbijetojë sanksioneve dhe të financojë pushtimin e paligjshëm të Ukrainës”
Nga ana e saj, Emily Ferris nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara tha se presidenti rus mund të ketë “mësuar mësimin e tij” pasi ata me “ambicie të rrezikshme” si Yevgeny Prigozhin janë “karta të egra”. “Çdo lider i ri Wagner ka të ngjarë të jetë dikush i zgjedhur nga Kremlini”, tha ai për BBC.
Ndërkohë, burimet kanë pohuar në Telegram se një marrje e mundshme e Wagner-it nga Averyanov është pjesë e një plani të Kremlinit për t’i dhënë fund ndikimit të Prigozhinit në Afrikë në mënyrë që të zëvendësohet Wagner me një kompani private të kontrolluar nga GRU.
Kjo është njësia 29155 e cila kryen operacione në territore të huaja me urdhër të Putinit dhe është e lidhur me shumë raste si helmimi i Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, siç u përmend më lart. Në të njëjtën kohë, ky grup i veçantë dyshohet se u urdhërua nga Putin për të organizuar një grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2015, i cili megjithatë dështoi.