Kurti i akuzon Escobarin dhe Lajçakun për anshmëri: Vijnë në Kosovë me kërkesa të Serbisë

0
181

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të shkurtër për agjencinë e njohur të lajmeve “Associated Press”. Në këtë medie amerikane, ai ka folur për situatën e fundit në veriun e Kosovës dhe marrëdhënien e tij të trazuar me ShBA-të. Në fakt, Kurti është ankuar për “sjelljen e njëanshme” të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Në “Associated Press”, Kurti i ka akuzuar këta dy aleatë të Kosovës për tolerim të regjimit autoritar të Serbisë. Sipas tij, Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Miroslav Lajçak, emisar special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, po vijnë me kërkesa të Beogradit.

“Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi…Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër.” – deklaroi ai, transmeton Nacionale.

Kurti foli pak edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, duke thënë se ato s’duhet të bojkotohen nga serbët lokalë. Shefi i ekzekutivit shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të fuqizojë pluralizmin politikë të serbëve etnikë “për një garë fer dhe demokratike për kryetarë të rinj”.

“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit të zgjedhjeve, sepse kështu urdhëron Beogradi.” – shtoi ai.

Kritikat e Hillit…

Ndryshe, sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për Zërin e Amerikës (VOA), ku ka folur për situatën aktuale në veri dhe marrëdhëniet e ShBA-së me Kosovën. Në intervistë, Hill ka theksuar se Amerika ka probleme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se ai duhet të bëjë ndryshime, nëse dëshiron të llogaritet si mik dhe partner nga ndërkombëtarët.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.” – theksoi ambasadori Hill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here