Janë bërë gati gjashtë muaj prej kur shteti i Kosovës nuk është duke ua paguar shtesën e rrezikshmërisë zyrtarëve policorë. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri ka thënë se rreth 40 zyrtarë policorë e kanë lënë punën për shkak të mungesës së kushteve.
Profesioni i policit është një detyrë shumë e rëndësishme në shoqëri, përgjegjësia e të cilës është të ruajë rendin dhe sigurinë publike. Pjesë e profesionit janë edhe situatat e rrezikshme me të cilat ballafaqohen në përditshmëri gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Policia e Kosovës, ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 62 sulme fizike ndaj zyrtarëve policorë, derisa ishin në detyrë. Po ashtu, 36 raste të tjera janë cilësuar si “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Përkundër rrezikut të përditshëm, janë bërë gati 6 muaj që zyrtarëve policorë shteti i Kosovës nuk ua ka ekzekutuar shtesat e rrezikshmërisë.
Nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme, kishin njoftuar se zyrtarët policorë mjetet e shtesave të rrezikshmërisë do t’i marrin në mënyrë retroaktive, kur t’i përfundoj punët komisionin përkatës për Ligjin e Pagave.
Rreth 40 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje për mungesë të kushteve
Mospagesa e shtesave për rrezikshmëri sipas Zeqirit, nuk ka pasur arsye të ndodhë dhe se është dëm i madh që po i bëhet zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
“Mospagesa e shtesës për rrezikshmëri nuk e ka asnjë arsye, kjo nuk është dashtë të ndodhë, po bëhet muaji i gjashtë që shtesat për rrezikshmëri nuk po i marrim. Shtesën për rrezikshmëri mujnë me ndalë por rrezikun policit nuk mund të ia heqin. Në realitet gjatë këtij viti i kemi 40 dorëheqje, kanë dhënë dorëheqje për shkak të kushteve, pagë e dobët, jo rritje por zbritje”, tha ai.