Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar llojin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiq”, për nderim të gazetares dhe kantautores avangarde të rok skenës kosovare të viteve ’80-ta.
Violeta Rexhepagiq u lind në Prishtinë, në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e filloi në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërkaq, në vitet e ’80-ta solli një stil unik dhe avangardë në rok skenën kosovare. Ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.
Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta angazhohet nga Skynews si raportuese nga zonat e luftës.