Në Gjakovë është përuruar ditën e sotme busti i heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Monumenti, i cili pasqyron Gjergj Kastriotin mbi kalë, u prezantua ditën e sotme në parkun e qytetit të Gjakovës.
Në ceremoninë e zbulimit të bustit, e cila përkon me 25-jetorin e çlirimit të qytetit, mori pjesë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si edhe zyrtarë e politikanë lokalë.
“Simboli i unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve nga sot do i bëjë roje Gjakovës heroike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Njëherit, Haradinaj është shprehur mirënjohës ndaj kryetarit, Ardian Gjini dhe donatorit Gjergj Prenkoçaj, për realizimin e kësaj vepre.