Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte “absurde” nëse Ukraina nuk ftohet të bëhet anëtare e NATO-s dhe se pasiguria për anëtarësimin e saj është motivim për Rusinë që të “vazhdojë terrorin e saj”.
Në një postim në Twitter, Zelensky u shpreh “Ukraina do të përfaqësohet në samitin e NATO-s në Vilnius”, por se “Ukraina gjithashtu meriton respekt”.
Ai shkruan se, rrugës për në Vilnius, mori sinjale se disa formulime po diskutohen pa Ukrainën.
“Dhe dua të theksoj se ky formulim ka të bëjë me ftesën për t’u bërë anëtare e NATO-s, jo për anëtarësimin e Ukrainës”.
Është e paprecedentë dhe absurde kur afati kohor nuk është caktuar as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës”
Sipas tij, duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës.
“Kjo do të thotë se po lihet një dritare mundësie për të negociuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në negociatat me Rusinë. Dhe për Rusinë, kjo do të thotë motivim për të vazhduar terrorin e saj”.
“Pasiguria është dobësi. Dhe këtë do ta diskutoj hapur në samit”.
Çfarë ka premtuar Stoltenberg?
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, deklaroi me bindje të plotë se do të ketë një mesazh “pozitiv dhe të fortë” për rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit.
Kur u pyet nëse NATO do t’i ofrojë një ftesë Ukrainës, Stoltenberg u përgjigj se “do ta shihni gjuhën pas disa orësh, sepse tani jemi duke finalizuar komunikatën”.
“Ajo që mund të them është se kam besim se do të jetë një mesazh pozitiv dhe i fortë për Ukrainën dhe rrugën përpara për anëtarësim”, shtoi ai.
Për të, Ukraina është shumë më afër NATO-s, kështu që mendoj se ka ardhur koha ta reflektojmë këtë në vendimet e NATO-s.
Më herët, Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s duhet të bien dakord të heqin kërkesën e një plani veprimi të anëtarësimit (MAP).
Samiti i NATO-s nisi në Vilnius, Lituani, ndërsa liderët botërorë takohen për të diskutuar mbrojtjen, parandalimin dhe mbështetjen për Ukrainën.
Ukraina dëshiron anëtarësimin në NATO – por pranon se nuk mund të anëtarësohet derisa lufta kundër Rusisë vazhdon.
NATO-ja ofron siguri kolektive, pasi vendet janë të detyruara të mbrojnë anëtarët e tjerë që sulmohen.AP