Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon procesi i dëgjimit të dëshmitarëve të përfshirë në rast nga prokurori i Specializuar.
Megjithatë, për shkak të diskrecionit të dëshmitarëve të gjitha dëshmitë e tyre janë marrë nga prokuroria pa vëmendjen e publikut – në seanca të mbyllura.
Krejt çka dihet nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, janë numrat rendorë të dëshmitarëve të cilët tregohen në fillim të seancës dhe pak gjëra, gati të parëndësishme, të cilat i prezanton gjyqtari i trupit gjykues me të nisur procesi. Më pas kalohet në “seancë të mbyllur” dhe përveç atyre që janë prezent në sallë të gjykimit, askush tjetër nuk di mbi deklaratat e dëshmitë e dhëna nga këta dëshmitarë.
Një ditë më parë, u intervistua dëshmitari i katërt me kodin – 4748. Të martën e 16 majit ai u intervistua nga avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Dëshmitari i katërt, kishte filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Emmerson më 15 maj në sesionin e pasdites dhe ka vazhduar gjatë ditës së djeshme në sesion privat.
Më pas, i njëjti dëshmitarë do të fillojë të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Rexhep Selimit, avokatit Geoffrey Roberts.
Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së sot, fillon nga ora 9:00 por në Kosovë transmetohet me 30 minuta vonesë për shkak të redaktimit që i bën gjykata.
Megjithatë sipas të dhënave zyrtare, është bërë e ditur se në muajin maj do të zhvillohen 10 seanca.
Pas më shumë se dy vjetësh në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.