Njeriu që sipas propozimit të tij u dizajnua dhe themelua edhe shteti i Kosovës, Martti Ahtisaari, ka vdekur.
Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez ndërroi jetë këtë të hënën në moshën 86-vjeçare pas sëmundjes së Alzheimerit me të cilën ishte diagnostikuar në 2021 – sëmundje kjo që kjo shkatërron qelizat nervore duke u shoqëruar me dobësim të aftësive të trurit dhe çrregullim të kujtesës.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës finlandeze.
“Presidenti Martti Ahtisaari, vdiq më 16 tetor 2023 në orën 6:40 të mëngjesit në Helsinki.
Fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, i cili shërbeu si presidenti i 10-të i Finlandës midis viteve 1994 dhe 2000 dhe hartuesi i planit që çoi në pavarësinë e Kosovës
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Ai besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme”, shkroi presidenti finlandez Sauli Niinistö.
Zoti Ahtisaari u çmua në mbarë botën për ndërmjetësimin e paqes në Kosovë, Indonezi dhe Irlandën e Veriut. Ai refuzoi të pranonte se luftërat dhe konfliktet ishin të pashmangshme.
“Paqja është çështje vullneti. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka justifikime për t’i lejuar ato të bëhen të përjetshme,” tha zoti Ahtisaari neë ceremoninë e pranimit të çmimit Nobel në vitin 2008.
Fama e tij botërore rriti imazhin e Finlandës pasi ajo doli nga hija e ish Bashkimit Sovjetik.
I emëruar nga Kombet e Bashkuara si i dërguar i posaçëm në vitin 2005, ai përgjatë vitit 2006 udhëhoqi bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës dhe në mars të vitit 2007 paraqiti planin që parashihte pavarësinë e mbikëqyrur. Me 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e atij plani.
Në shtëpi, Martti Ahtisaari ishte gjithmonë një “i huaj” politikisht. Por, pikërisht mungesa e lidhjeve politike e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në Finlandë, në vitin 1994, në krye të opozitës socialdemokrate.
Si president, ai mbështeti anëtarësimin e Finlandës në Bashkimin Evropian dhe inkurajoi votuesit të mbështesin referendumin e anëtarësimit të vitit 1994, i cili kaloi me 57 për qind mbështetje.
Në vitet e mëvonshme ai u largua nga linja e partisë së tij duke inkurajuar Finlandën të bëhej një anëtare e NATO-s. Kjo ndodhi vite përpara se Finlanda t’i bashkohej përfundimisht aleancës në vitin 2023, pas agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se populli i Kosovës sot mban zi për ndarjen nga jeta të ish presidentit Martti Ahtisaari.
“Ai qëndroi krah për krah me ne ndërsa ne shkruanim historinë tonë si një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Trashëgimia e tij vizionare do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e popullit të Kosovës”, shkroi ajo.
‘Përjetësisht i syrgjynosur’
Martti Ahtisaari lindi në vitin 1937 në Viipuri, tani pjesë e Rusisë, dhe familja e tij u detyrua të largohej pas sulmit të forcave sovjetike kur ai ishte dy vjeç.
Ai tha se ato vite të hershme e bënë atë “një person të syrgjynosur përjetësisht” dhe të ndjeshëm ndaj gjendjes së vështirë të refugjatëve.
Pas shërbimit ushtarak, ai u bë mësues dhe mori pjesë në një projekt arsimor në Pakistan, një përvojë që ai tha se i hapi sytë drejt botës jashtë vendit të tij të lindjes.
Ai iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës në vitin 1965 dhe u emërua ambasador i Finlandës në Tanzani në vitin 1973.
Një nga arritjet e tij të para të mëdha diplomatike ishte të ndihmonte Namibinë të fitonte pavarësinë pas viteve të konfliktit të përgjakshëm me Afrikën e Jugut.
Ai shërbeu si komisioner i OKB-së për Namibinë nga viti 1977 deri në vitin 1981 dhe shërbeu vazhdimisht në rajon në role të ndryshme deri në fillim të viteve 1990.
Duke vepruar si i dërguari kryesor i Bashkimit Evropian, ai e bindi presidentin jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1999 të pranonte kushtet e NATO-s për të përfunduar fushatën e bombardimeve që synonte t’i jepte fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës.
Ai vazhdoi të përqendrohej në zgjidhjen e konflikteve pas largimit nga presidenca në vitin 2000, duke ndihmuar në çuarjen përpara të procesit të paqes në Irlandën e Veriut.
Ai themeloi Nismën Menaxhimit të Krizave (CMI), një organizatë e pavarur e përqendruar në zgjidhjen e konflikteve. Grupi lehtësoi një proces paqeje midis qeverisë indoneziane dhe Lëvizjes së Lirë Aceh në vitin 2005. Përpjekjet e tij ndërmjetësuese, gjatë shtatë muajve, çuan në një marrëveshje që i dha fund një konflikti tre dekadash në Aceh.
Më vonë atë vit, ai u kthye në Ballkan si i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara duke i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës me mbështetjen e vendeve perëndimore në vitin 2008.
Disa muaj më pas, komiteti Nobel i dha atij çmimin për paqe për punën në shumë kontinente për më shumë se tre dekada.
Ai la pas vetes gruan e tij, Eeva, dhe djalin, Marko, një sipërmarrës teknologjie dhe ish drejtues i lartë në kompaninë Nokia.
*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Reuters