“I pikëlluar nga vdekja e Marti Ahtisaarit”, “kampion i paqes”, “diplomat i shquar”, “kontriboi shumë në paqen dhe sigurinë e rajonit”, “puna e tij ngurtësoi të drejtat e fuqishme të pakicave në kushtetutën tonë”.
Këto ishin fjalët që kishte përzgjedhur sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të shprehur ngushëllimet për vdekjen e Marti Ahtisaarit, ish-Presidenti të Finlandës dhe diplomatit të ngarkuar nga Kombet e Bashkuara për të organizuar negociatat e procesit të finalizimit të statusit të Kosovës; Plani i të cilit rezultoi në Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 më 17 shkurt.
Por, Kurti, në cicërimën e tij nuk ia njohu punën e Ahtisaarit për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por vetëm atë të “ngurtësimit të drejtave të pakicave”; duke nënkuptuar atë të pakicës serbe.
Plani Gjithpërfshirës i Ahtisaarit ishte vetë baza juridike nga ku u konkretizua e drejta për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës; sigurisht në të edhe me të drejtat e zgjeruara për pakicën serbe. Për këtë, Ahtisaari do të nderohej edhe botërisht me Çmimin Nobel për Paqe.
Për Kurtin, asokohe, Plani i Ahtisarit ishte veçse “Aneks i Rezolutës 12/44”.
Më 10 shkurt të vitit 2007 Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kishte dalë në një protestë masive me qëllim të deklaruar fuqishëm: kundër Planit të Ahtisaaruit dhe kundër negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fjalimi i tij – krejtësisht i gabuar historik, siç janë thuajse të gjitha predikiment e tij që s’i kanë mbijetuar kohës – mbahet mend teksa jehonte midis Prishtine.
“Ahtisari e pruni paketën. Por, pavarësia në paketë nuk vjen… Pavarësia dhe liria janë vullneti i këtij populli që këta po e shkelin. Paketa e Ahtisarit është autonomi për serbët brenda Kosovës dhe autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë. Politikanët po rrejnë, po thonë që kena me pas flamur e simbole; pra kemi me qenë shtet. Flamur e simbole kanë edhe ekipet e futbollit”, thoshte Kurti.
Kjo protestë kishte shpërthyer në dhunë të madhe ku dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje: Mon Balaj dhe Arben Xheladini. Këta dy të fundët përkujtohen çdo vitë si dëshmor të vendit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti ishte prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Ahtisaarit, e ku vetëm të shfletohet libri i tij lëmsh për nga mendimi politik gjejmë qëndrimet e tij ndaj ish-presidentit finlandez.
Ahtisaari dhe Kosova
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan në vitin 2005 kishte caktuar Marti Ahtisaarin si të dërguar special të tij për Kosovën për të udhëhequr bisedimet për statusin final të vendit.
Sipas parimet udhëzuese të Ahtisaarit, vendosja përfundimtare e statusit të Kosovës ishin multietniciteti dhe gjithëpërfshirja e komuniteteve në qeverisje.
Jo më kthim para marsit të vitin 1999, jo ndarje të Kosovës dhe as bashkim të Kosovës me ndonjë vend tjetër ose me ndonjë pjesë të ndonjë vendi tjeteër – ishin disa prej parimeve kyçe të vendosura nga Ahtisaari.
Zgjidhja do të ishte ajo çfarë është “e pranueshme” për popullin e Kosovës; dhe kjo sigurisht se isha pavarësia; dhe një deklaratë të tillë Ahtisaari e kishte nxjerrë nga Gruçpi i Kontaktit të ministrave të jashtëm; dhe duke qenë se 90% e popullit të Kosovës ishin shqiptarë, kjo deklaratë kishte peshën e saj të jashtëzakonshme.
Duke ushtruar mandatin e tij, Ahtisaari parashtroi propozim e tijin që merrte parasysh historinë e fundit të Kosovës, realitetin në terren, parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit dhe pikëpamjet e shprehura nga palët në bisedimet e Vjenës.
I dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe palëve në mars 2007, “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës” (Plani i Ahtisaarit) përmbante kompromise të rëndësishme. Ai bazohej në konceptin e pavarësisë, megjithëse përfshinte disa kufizime në sovranitetin e Kosovës: ndalimin e bashkimit me një vend tjetër, kufizimet në forcën e saj të ardhshme të sigurisë, mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj për një periudhë fillestare dhe një prani të vazhdueshme ushtarake ndërkombëtare.
Nga kjo, pavarësia e Kosovës ishte bërë fakt dhe gjë e pakthyeshme./Nacionale