Diskutimet ishin “të thella dhe thelbësore” mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe “pesëshes së madhe” diplomatike, njoftoi para gazetarëve ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit. Pesëshja e emisarëve thanë se “dëgjuam me kujdes shqetësimet e Kurtit” për situatën e sigurës në veri, ndërsa dënuan fuqishëm sulmin terrorist dhe paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit, për çka Lajçak u shpreh se nuk duhet të ketë dilema që “autorët nuk do të mund të ikin nga kjo”.
Megjithatë Lajçak, i cili prapa vete kishte emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe këshilltarët kryesorë të krerëve shtetëror të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, tha se ngjarjet në Banjskë “as nuk e shkundin” as “nuk e zhbëjnë” dialogun për normalizim dhe as Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit; përkundrazi, tha ai, e bëjnë “edhe më urgjente”.
Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, tha Miroslav Lajçak, është kërkesë parësore e bashkësisë ndërkombëtare dhe “nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës pa themelimin e saj”.
“Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres për normalizimin e raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet ta theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të tjera. Pa këtë (themelimin e Asociacionit) nuk do të ketë progres në rrugëtimin evropian të Kosovës. Ne çmojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona së shpejti”, tha Lajçak.
Pyetur nga gazetarët se a sollën sot para Kurtit ndonjë plan se si do të duket dhe do të bëhet ky Asociacion, Lajçak siguroi se kanë plan por se – tash për tash – nuk mund të futet në detaje.
“Ne gjithmonë kemi plan, kemi plan, dhe diskutuam planin me Kurtit dhe do ta diskutojmë me Vuçiqin, që do ta kuptoni më vonë. Por, se në këtë pikë nuk do të futem në detaje. E dyta nuk ka alternativë dialogu”, tha emisari evropian.
Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, ktheu në sipërfaqe një nga çështjet më dramatike sa i përket ndërmjetësimit të Lajçakut dhe “konspirimit” që Kurti pretendonte se emisari sllovak po kryen me palën serbe – përkatësisht, siç thoshte Kurti, që Lajçaku në simbiozë me Vuçiqin po synojnë të jetojnë “vetëm gjysmën e marrëveshjes bazike” përmes themelimit të Asociacionit.
“A ke marrë anën e Serbisë (siç ka thënë Kurti)?”, e pyeti gazetari i Nacionale.
Lajçakut i doli në krah këshilltari i vetë Presidentit të Francës, Emmanuel Macron – Emmanuel Bonne – duke bërë me duar në tërë pesëshen diplomatike – duke nënkuptuar me gjestin që ka anën evropiano-amerikane e jo të Serbisë.
“Unë kam anën e Bashkimit Evropian. Me Kurtin u përqendruam në substancën në takimin e sotëm”, tha Lajçaku.
Veç kësaj ai tha se kanë folur edhe për çështjen e ndalimit të futjes së mallrave serbe në Kosovë, përçka emisari sllovak tha se “preferencë e BE-së” është heqja e të gjitha barrierave të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.
“Importi i mallrave ishte në agjendë diskutimi. Preferenca e jonë e qartë ishte heqja e barrierave për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve dhe të hapim mundësi të reja ekonomike për rajonin”, tha Lajçaku.
“Dua t’ju njoftoj që patëm një diskutim të thellë dhe substantiv me Kryeministrin Kurtin dhe Bislimin se si mund të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të bëjmë përparim në zbatim të marrëveshjes”, tha emisari. Nacionale