Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se policët e Kosovës punojnë në kushte të rënda, me paga të ulëta e pa sigurime shëndetësore.
Sipas të dhënave të sindikatës që udhëheq Zeqiri, 2.200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë larguar nga ky institucion prej se është themeluar në vitin 1999.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar të premten shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”./REL