Si një nga figurat që ka ngritur çështjen e Kosovës gjatë Luftës, tek strukturat më të larta, ku lobonte për lirinë e saj tek Papa Gjon Pali II, deri edhe tek presidenti i Francës i kohës Zhak Shirak në 1998, Kadarenë e shqetësojnë konfliktet që trazojnë lirinë e saj.
“Mendimi im është ai mendim logjik i të gjithë njerëzve që e duan vendin e tyre. Uroj lirinë e plotë për Kosovën së shpejti. Kosova është Shqipëri dhe një ditë e gjithë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj”.
Presidenti i Francës Emmanual Macron që për afro 15 minuta, përshkon përmes fjalës së tij, etapat e jetës e krijimtarisë së shkrimtarit Ismail Kadare, e rrjedhimisht me to edhe zhvillimet e vendit tonë, në Pallatin e Brigadave.
Jo për gjenialitetin e shkrimtarit, se sa për Shqipërinë e vogël, ajo që duket si pasazh romancesk, ndodhi në ardhjen e tij të parë në Tiranë, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, ku mbrëmjen e 16 tetorit i dorëzoi dekoratën e “Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit”.
Ndjesitë për vlerësimin, Kadare ka preferuar gjatë këtyre ditëve t’i kursejë siç thotë “për të mos shtuar zhurmnajën e madhe”, por e ka një koment, kur Macron, edhe për kufizimet e kapërcyera në diktaturë, përmes letërsisë e konsideron si “Lajmëtar të lirisë”.
“Unë kam qenë gjithmonë lajmëtari i lirisë, çdo shkrimtar i njohur, i ndershëm është i tillë”, shprehet Kadare.
Ndërkaq, mbajtjen e Samitit të Berlinit në Shqipëri, shkrimtari e shikon me optimizëm.
“Mendoj se është një ngjarje shumë pozitive për imazhin e Shqipërisë”, thotë shkrimtari Ismail Kadare