Mesazhi i ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla për protestën e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI/FIT), ka nxitur reagime të shumta në vendin tonë. Pas Sveçlës, edhe një mesazh i kryeministrit Albin Kurti, që ishte pothuajse identik me atë të Sveçlës, po ashtu u komentua nga opinioni publik. Duke qenë që të dy politikanët në pushtet, përmendën – veç tjerash – pagat që kanë arritur disa pjesëtarë të Policisë t’i marrin këtë vit – që nënkupton shtesa për shumë orë qëndrimi në veriun e Kosovës, kjo ngjalli edhe më shumë reagime.
Në Redaksinë e Periskopit, ka arritur një letër e një polici të Kosovës, i cili – në kushte anonimiteti – komenton fjali pas fjalie komentin e Xhelal Sveçlës dhe që Redaksia jonë, të plotë këtë mesazh:
Letra e plotë dhe pa ndërhyrje siç ka arritur në Redaksinë tonë:
Sveçla: Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë.
Komenti i policit: dikur thonit se Republika e Kosovës nuk është e varfër por e vjedhur, apo jo?.
Sveçla: Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.
Komenti i policit : wow e vërtetë, ata mercenarët e UÇK-së, apo jo?.
Sveçla: Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës.
Komenti i policit : E dimë, por jo nga qeveria që i lufton pa ndërpre dhe i detyron ta lëshojnë punën e besa edhe vendin, apo jo?.
Sveçla: Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.
Komenti i policit : vështirësi këto të krijuara pikërisht nga qeverisja juaj me shtrenjtimin e çmimeve, apo jo?.
Sveçla: Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit.
Komenti i policit : Mbështetjen e keni obligim, jo dëshirë, nuk ju ke pri, por pas aksioneve ke bërë sfilatë për përfitime politike.
Sveçla :Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.
Komenti i policit : Vërtetë, pa pyeti çfarë thonë policia kur pranojnë sms lidhur me pagën.
Sveçla: Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor.
Komenti i policit : do të thuash që uniformat që tani i posedojnë janë të përjetshme, edhe këto një ditë do të jenë të vjetruara e do ketë nevojë për të reja.
Sveçla: Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.
Komenti i policit : FIT asnjëherë nuk ka dështuar në operacionet e tyre, por, prej themelimit, asnjëherë nuk ka ndodh të mos paguhen për rrezikshmërinë deri në kohën tënde me buxhetin farsë.
Sveçla: Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
Komenti i policit : Ministër për çdo cent të orëve shtesë ata kanë qëndruar në detyrë larg familjeve të tyre të rrezikuar në çdo moment dhe po ashtu duke të krijuar siguri për sfilatat e tua me uniformën alla Zelensky.
Sveçla: Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin.
Komenti i policit : mesazh i fortë, a e vërteton kjo atë që projeksioni juaj është që NJSI të zëvendësohet me NJSO, ndoshta për faktin që në FIT ka numër të madh të ish ushtarëve të UÇK-së).
Sveçla: Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues.
Komenti i policit : edhe përkundër gënjeshtrave dhe mashtrimeve, “me nder qofsh”.
Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar të mërkurën para objektit të Qeverisë së Kosovës. Këto dy njësi elitare policore po kërkojnë nga ekzekutivi që të rishikohet kategorizimi për rrezikshmërinë në punë. Me dhjetëra prej tyre, të uniformuar kërkuan që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
Ndërkohë, pas protestës dhe shprehjes së pakënaqësisë lidhur me shtesat e pagave dhe rrezikshmërisë në punë nga Njësia Speciale Intervenuese e policisë dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim, sot (e enjte) do të protestojë edhe Njësia Speciale Operative.
Protesta do të mbahet brenda zyrave, për dallim nga dy njësitë e tjera elitare që protestën e bënë para objektit të qeverisë./Periskopi/