Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë është arrestuar ish komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj nga Malisheva.
Arrestimi ka ndodhur në mesnate pas bastisjeve që i është bërë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe Lubizhdë të Malishevës.
Familjarët e Kilajt thonë së nuk kanë asnjë informacion pse është arrestuar ai.
Kilaj pas arrestimit është dërguar në bazën e EULEX-it ku sipas familjarëve pritet të niset për në Hagë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, njoftoi se Specialja është duke kryer operacione të vazhdueshme me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Ndërkaq, të mërkurën është bastisur edhe shtëpia e Ismail Sylës, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast i është konfiskuar telefoni.
Ndërsa të martën është bastisur shtëpia e Artan Behramit, poashtu ish-këshilltar i Thaçit si dhe shtëpia e prindërve të tij.
Bastisjet që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë, ditëve të fundit janë kryer edhe tek shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.