Drejtori i Shërbimeve Sekrete Serbe e njohur ndryshe si Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin ka dhënë dorëheqje të parevokueshme disa muaj pasi u shpall non-grata nga SHBA-të. Vulin shkruan se SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.
“Refuzova që të heq dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe vëllazërisë me Rusinë dhe Kinën thekson më tej Vulin në tekstin e dorëheqjes. Vulin edhe ish-ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë njihet për vizitat e shpeshta në Moskë. Ai akuzohet nga SHBA-të për “përfshirje në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme lidhur me narkotikët dhe shpërdorim të detyrës publike”.
Në të njëjtën ditë me largimin nga detyra në Beograd të Aleksandër Vulin, SHBA-të shpallën non-grata për korrupsion të konsiderueshëm Nexhat Krasniqin, ish-drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në kohën kur drejtohej nga Fatmir Limaj. Krasniqi ishte denoncuar publikisht edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Krasniqi sipas Uashingtonit merrte ryshfet nga kompani të ndryshme duke ju ofruar atyre kontrata për punë publike. “Ky vendim rikonfirmon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe kufizon aftësinë e qeverive për t’u përgjigjur në mënyrë efektive për nevojat e njerëzve të tyre”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit për shpalljen non-grata të Nexhat Krasniqit.