Serbia ka blerë 11 helikopterë luftarakë të tipit Mi-35, prodhim rus, nga Qiproja, përderisa po synon që t’i fuqizojë forcat ajrore dhe ta ruajë supremacinë rajonale ushtarake, tha të enjten presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Qeveria qipriote dhe Serbia ishin pajtuar në vitin 2021 për shitjen e këtyre helikopterëve që kanë nevojë për rregullime, për një çmim të pasaktësuar, si pjesë e të cilit Beogradi pagoi përmes eksportimit të armëve të prodhimit serb, raporton agjencia “Reuters”.
“Ua kemi paguar më shumë se gjysmën vëllezërve tanë qipriotë me armët tona… kryesisht… artileri”- tha presidenti serb para gazetarëve gjatë një prezantimi në bazën ajrore ushtarake në Batajnicë, afër Beogradit.
Ai gjithashtu e njoftoi shitjen e 48 obusëve vetëlëvizës me vlerë të 311 milionë eurove në një shtet të pasaktësuar. “Kjo blerje duhet prapëseprapë të kalojë nëpër kuvendin e tyre”– tha Vuçiqi.
Serbia, shtet kandidat për anëtarësim në BE, e ka njërën prej ushtrive më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe ende mbështetet në teknologji ushtarake të periudhës sovjetike, por viteve të fundit ka filluar që të blejë armë e aeroplanë të prodhimit perëndimor e kinez.
Në qershor, Vuçiqi tha se Beogradi ishte në bisedime për blerjen e aeroplanëve luftarakë të tipit “Rafale” nga prodhuesi francez “Dassault”. Serbia tashmë ka blerë helikopterë dhe aeroplanë transportues nga prodhuesi i njohur, “Airbus”.
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është bërë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, program për shtetet që nuk aspirojnë për t’u bërë pjesë e aleancës.
Beogradi e pakësoi bashkëpunimin ushtarak me Moskën pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe e ka dënuar këtë veprim të Rusisë. Megjithatë, ndryshe nga BE-ja dhe vende të tjera perëndimore, Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.
Buxheti ushtarak i Serbisë është 1,43 miliard dollarë ose 2 për qind e prodhimit vendës bruto.