Të premten ka vdekur në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori i njohur Julian Deda. Ai prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Deda ka ndërruar jetë në Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e varrimit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.
Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si “Charlie Chaplin” i Shqipërisë.
Ai lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 teksa ishte shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, pastaj filloi shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Zef Deda ka punuar për më shumë se 40 vjet në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe ishte mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran. Pas një shkëputjeje prej 6 vjetësh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me shumë sukses. /tvklan