Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në konferencën për media, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës, foli për punën sfiduese dhe të ndjeshme për Prokurorinë e Kosovës, e cila tregon përkushtimin e Prokurorisë Speciale për drejtësinë, për krimet e luftës.

 

“Prokurorët tanë po punojnë me shumë përkushtim, përkundër sfidave që hasim në sigurinë e provave dhe dëshmive, përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme  dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme në identifikimin e kryesve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë, me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime të luftës përkundër vështirësive që na presin”, deklaroi Isufaj.

Ai me këtë rast i falënderoi prokurorët e Prokurorisë Speciale për punë e mirë që po e bëjnë, jo vetëm në rastet e krimeve të luftës, por të gjitha rasteve të tjera që janë në kompetencën e kësaj prokurorie.

Drita Hajdari, prokurore, tutje, prezantoi rezultatet e punës lidhur me masakrën e Mejes dhe në Burgun e Dubravës,

Prokurorja Hajdari së pari foli për historikun e institucioneve të drejtësisë që nga paslufta e këndej, duke bërë të ditur se për procedimin e krimeve të luftës fillimisht ishte në kompetencën e UNMIK-ut, për të vijuar te EULEX-i.

Sipas saj kompetencat e plota Prokuroria Speciale e Kosovës i ka marrë kompetencat më 2016, por që, sipas saj, të gjitha rastet (fizikisht) i ka pranuar më 2018, ku në mesin e rasteve të shumta për krime lufte ishte edhe rasti Mejes.

“Sa i përket aktakuzave, ju njoftoj se deri më tani prokurorët vendorë kanë ngritur deri më tani 33 aktakuza me 89 persona”, deklaroi prokurorja Hajdari.

Ajo më tej sqaroi punën  Prokurorisë me vështirësi të shumta e ndër më të kryesore ishte mungesa e kryesve të krimeve, të cilët nuk jetonin në Kosovë, por në Serbi, derisa viktimat janë në Kosovë./RTKlive