Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës, raporton Gazeta Sinjali.
Në mbledhjen e sotme janë paraparë pesë pika në rend dite, përfshirë edhe shqyrtimin e rekomandimeve për pezullimin e partisë politike Partia Socialdemokrate dhe Lëvizja për Bashkëveprim.
KQZ-ja dhe PSD-ja kanë konfirmuar se rekomandimi për pezullim ka të bëjë me organizimin e Kuvendit zgjedhor të partisë.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se PSD-ja ka pasur për obligim të mbajë konventën zgjedhore deri më 15 dhjetor. Tani sipas rekomandimit, PSD-së do t’i jepet afat shtesë prej 45 ditësh për organizim të kuvendit zgjedhor.
PSD-ja, në anën tjetër, ka thënë se “do ta rregullojë këtë çështje brenda” këtij afati.
“Ka te bëjë me disa procedura teknike të cilat gjatë afatit 45 ditësh do t’i rregullojmë. Nuk ka vend për shqetësim. Në janar PSD do ta mbajë Kuvendin e saj, sipas afatit te rregullt dhe të monitoruar nga KQZ. Për afatet dhe detajet që lidhen me mbledhjen e Kuvendit do te njoftoheni me kohë” tha për Sinjalin zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.
Rendi i plotë i ditës:
1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së KQZ Nr.33 dhe 34/2023
3. Aktivitetet e Zyrës:
- Rekomandimi për pezullimin e partisë politike LËVIZJA PËR BASHKËVEPRIM;
- Rekomandimi për pezullimin e partisë politike PARTIA SOCIALDEMOKRATE;
- Rekomandimi për shlyerjen e borxheve të partive politike dhe subjekteve politike për periudhën 2014 – 2020 nga Regjistri i llogarive të arkëtueshme
4. Raportet e Këshillave të KQZ:
4.1.Këshilli për Operacione Zgjedhore
– Shqyrtimi dhe miratimi i draft Planit të Punës për vitin 2024
5. Të ndryshme