Fiks Fare vijoi mbrëmjen e së mërkurës denoncimet për abuzimet me fondet e bujqësisë, ku miliona euro shkuan në duart e politikanëve dhe firmave të mëdha.
Një ditë pasi një konsulentë tregoi me zë dhe figurë të gjithë skemën sesi bizneset e mëdha duhet të mashtronin që të përfitonin këto fonde, Fiksi u ndal te listat dhe bizneset që kanë përfituar nga IPARD II.
Nga hulumtimi rezultoi se fondet e AZHBR-së, të cilat janë për zhvillimin bujqësor rural, janë dhënë në mënyrë selektive. Disa subjekte kanë përfituar dhe të tjera jo! Grupi i Fiksit udhëtoi në fshatin Tërfuf në Lushnje, ku një subjekt që kishte përfituar fonde po ndërtonte një serë moderne. Ndërkohë, komshiu i tij pak metra më larg, vijonte me serën e ndërtuar në mënyrë primitive vite më parë. Kamera e emisionit investigativ shkoi edhe në një fermë, e cila ka aplikuar për skemën mbështetëse traktor dhe magazinë.
“S’kam përfituar se e kanë mbyllur thirrjen thonë. Unë kam 1500 pula deti dhe 300 dele dhe 200. Më kanë dhënë të deleve dhe naftën, unë kërkoja një traktor dhe zgjerim të stallës. Mua më lehtëson punën” tha ai. Më tej pohoi se ka 25 vjet që merret me dele, me blegtori. “Kam marrë disa skema të vogla, po ato të IPARD-it kemi plotësuar disa dokumente po s’na kanë dhënë” shton ai, ndërsa ende ka shpresa. “Mbase edhe na i japim, me shpresa jemi”, përfundon ai.
Një tjetër banor pohon se “fshatari gjithmonë ka qenë shtresa më e dëmtuar, gjysmën e merr tregtari dhe ne marrim vetëm çerekun”. “Na futën edhe kallupin se ai i gjati na tha mbillni grurë. Mbollën nga 40 hektarë dhe ngeli nëpër parcela. Disa firma marrin nga këto lekët e BE-së, kurse ne jemi katundarë! Marrin vetëm ata që kanë pasur, ata që kanë vënë shumë lekë. Ne jemi zbathur, ja çizmet e mia” – përfundon ai, teksa tregon edhe mjetet për bluarjen e misrit për pulat dhe delet, të cilat janë mullinj primitivë.
Grupi i Fiks Fare shkoi në Dimal, në një nga zonat që ka sipërfaqe të mëdha me sera. Edhe atje duket ndryshimi, ku individët dhe personat që kanë përfituar fonde kanë ndërtuar sera moderne. Të tjerët, vijojnë të përdorin serat që i kanë ndërtuar vite me radhë!
Fiks Fare ka bërë një hulumtim të të gjithë listave që ka publikuar AZHBR-ja. Në listë janë subjekte të mëdha, të cilat janë prej vitesh në sektorin bujqësor dhe blegtoral, ndërkohë që mungojnë njerëzit e thjeshtë, ose më saktë fermerët e thjeshtë. Gazetarët shkuan te disa nga këto firma që kanë përfituar fonde. Fillimisht në Maminas, Shijak, te agroturizëm “Kronos”. Firma ka marrë një shumë 961 mijë euro nga AZHBR-ja. Ka ngritur disa sera, ndërkohë që krahas serave është ndërtuar edhe një bar-restorant apo edhe hotel. Firma “Kronos” është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve në Shqipëri. Ka marrë me dhjetëra procedura. Pra, paratë e AZHBR-së kanë shkuar te një firmë dhe pronarë të pasur!
Ndërkohë, disa kilometra më në jug, në Kavajë, është ngritur një serë në mes të qytetit. Por, në vend të produkteve bujqësore, në ato sera të financuara nga AZHBR, qëndronin disa kuaj. Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, firma e cila i ka ngritur këto sera është “KAVALJON”, në pronësi të ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Ai u largua nga drejtimi i bashkisë në vitin 2016 me procesin e dekriminalizimit. Në listën e AZHBR-së është kjo firmë, e cila në dy thirrje ka përfituar plot 250 mijë euro.
Lista vijon me subjekte që kanë pronarë firma të mëdha të ndërtimit. “Coast to Coast” është në pronësi të firmës “Gjikuria” në Palasë, Himarë. Kjo firmë ka marrë rreth 150 mijë euro në thirrjen e parë për të bërë një hotel dhe resort. Ndërkohë, një tjetër firmë e madhe e ndërtimit, “Company Riviera”, në pronësi të vëllezërve të ish-deputetit Ndue Kola, është financuar. Megjithëse s’kishte eksperiencë në fushën e bujqësisë, ajo i propozoi AZHBR-së ngritjen e një magazine për grumbullimin dhe seleksionimin e fruta-perimeve. IPARD-i i erdhi në ndihmë me 50% të investimit, duke i ofruar 810.469 euro.
Firma “Agri Balkanika”, ka marrë rreth 100 mijë euro fonde nga AZHBR për ngritjen e një sere. Firma është në pronësi të z. Daniel Shandro. Z. Shandro ka qenë një nga kandidatët e rithemelimit për kryetar të Bashkisë Lushnje. Ndërkohë, firma “Arka Develompent” ka përfituar rreth 170 mijë euro në fushën e akuakulturës. Një nga ortakët e kësaj firme është edhe z. Dael Dervishi, ish drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Lista vijon me firmën “Bioplant” në Durrës, e cila ka marrë një fond prej 230 mijë eurosh për ngritjen e një vreshti. Pronar është z. Jurgen Dashi, i cili ka qenë kandidat për deputet, ndërkohë ka mbajtur postin e kryeinspektorit të Pyjeve dhe Mjedisit.
Në listën e AZHBR-së përfituar janë nga të gjitha krahët e politikës. Një ndër ta është edhe ish-kandidati i PSD-së për deputet Pashuk Masmalaj, i cili me firmën e tij “CHICKEN LAND” ka përfituar 280 mijë euro për ngritjen e një ferme për qumësht. Firma “Co Casa” në Fier ka përfituar një fond prej 280 mijë eurosh për ngritjen e një sere. Firma është themeluar nga z. Arjon Muça, ish deputet.
Ndërkohë, në Lushnje ndodhet magazina e firmës “Doni Fruits”. Në vitin 2021, deputeti i PS-së, Erion Braçe shkruante në rrjete sociale se pronari i saj ka pikën më të madhe të eksporteve, por me ndihmë të madhe nga qeveria. I ka dhënë afër 100 milionë lekë të reja, plus rrugën nga FSHZH, plus linjë të dedikuar për energjinë, plus linjë të dedikuar për ujin. Kjo firmë është subvencionuar sërish nga AZHBR në shumën e 924 mijë euro.
Një tjetër kandidat për deputet ka përfituar nga fondet e bujqësisë. Elton Ismaili ka marrë nga IPARD një shumë prej 90 mijë eurosh për agroturizëm në Gjirokastër. Përfitues është edhe kompania e z. Armand Duka në Durrës, AIBA, e cila ka marrë një shumë prej 140 mijë eurosh për një impiant për tharjen e glasave. Në listën e përfituesve të IPARD rezulton të jetë edhe Arben Isufaj, një personazh i ndaluar dhe arrestuar disa herë që njihet me emrin “Ben Qimja”. Ai ka përfituar plot 294 mijë euro për ndërtimin e një sere në Dërmenas të Fierit.
Përfituese me 44 mijë euro është edhe zonja Eriona Kokoneshi, bashkëshortja e ish kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi. Paratë do t’i përdorte për ngritjen e një kantine vere. 222 mijë euro ka marrë edhe ish-deputeti Dash Peza për ngritjen e një ferme në Pezë. Rreth 50 mijë euro ka marrë edhe z. Alban Berisha, kunati i Saimir Tahirit për ngritjen e një ferme në Vaqarr. Në listë është edhe firma në pronësi të z. Alban Zusi, ish – zv.ministër i Bujqësisë. Gjithashtu edhe shumë kompani me pronarë që kanë lidhje me zyrtarë të lartë të administratës qendrore apo lokale.
Pas këtij hulumtimi, gazetarët e Fiksit shkuan te zyrat e AZHBR-së në Tiranë duke u ngritur disa pyetje se “përse në këto lista janë personazh të njohur, ish-politikanë, ish-deputetë, ish-drejtorë dhe subjekte të mëdha”. Por, asnjë prej drejtorëve nuk pranoi të japë intervistë.
Në përgjigje, AZHBR thotë se i ka financuar nga 2 apo 3 herë firma të caktuara pasi përmbushin kushtet. Pyetjes se përse në këto liste janë individë apo firma me lidhje politike, kjo Agjenci thotë se çdo firmë ka nënshkruar formularin e konfliktit të interesit. Fiksi e pyeti se përse në këto lista dominohen nga firmat më të mëdha. Përgjigjja e tyre ishte se “përzgjedhja është e përcaktuar në programin IPARD II”.
Po si fituan mbështetje firmat për resorte në bregdet? Sipas tyre, programi nuk mbështet resorte apo vila private, megjithëse disa prej tyre kanë përfituar grante. Fiksi e pyeti AZHBR-në se në çfarë faZë është programi IPARD. Sipas tyre, janë njoftuar shkresërisht nga DG Agri për masën e pezullimit të pagesave të radhës, deri në marrjen e raportit përfundimtar të hetimit administrativ të OLAF.
AZHBR i dërgoi një listë të gjatë Fiksit, ku dhjetëra firma janë gjetur me shkelje. Në listë është subjekti “Kavaljon”, me pronar z. Elvs Roshi. Gjithashtu edhe firma “Coast to Coast” në Palasë, duhet të kthejë një pjesë të parave. Në total, 80 firma dhe subjekte janë gjetur me shkelje. Këto firma duhet të kthejnë një shumë prej 1.5 milionë euro. Një pjesë e firmave i kanë kthyer paratë, ndërkohë disa të tjera kanë hapur proces gjyqësor.
Fiksi bisedoi edhe me z. Ndoc Faslia, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ai tha se në vitet e fundit nuk ka pasur mbështetje për prodhuesit, fermerin. “Në qendër të mbështetjes kanë qenë bizneset e mëdha, të turizmit të agro-përpunimit të grumbullimit. Ironia në këtë mbështetje janë edhe ndërtuesit. Nuk kanë begraund bujqësor. Logjika është e thjeshtë se duke iu dhënë para këtyre justifikohen shumat e mëdha, justifikohen më lehtë edhe keqmenaxhimi” pohon pedagogu.
Më tej pohon se 40 % e firmave që janë shpallur fitues janë krijuar në 3-4 vitet e fundit, pas vitit 2019 dhe 2020. “Skemat e IPARD kanë filluar pas vitit 2018. Një pjesë e mirë e këtyre subjekteve janë krijuar pas vitit 2018. Janë krijuar të gjitha me idenë sepse edhe mund t’i ketë premtuar dikush për të përfituar nga këto fonde. Në një kohë që janë neglizhuar prodhuesit e vërtetë, prodhuesit e fushës”, thotë ai, ndërsa shton se sipërfaqja e tokës së lënë djerrë është rritur me 25 – 30 %. “Situata alarmante në tufat blegtorale, janë shitur tufa të imta”, vijon z. Faslia, duke thënë se skemat kanë favorizuar persona që s’kanë lidhje me bujqësonë.
“Sigurisht listat janë publike personat njihen, dihet aktiviteti. Se përse janë në lista, nëpërmjet kujt kanë krijuar lidhje me strukturat e bujqësisë. Unë mendoj që përveç kontrollit të strukturave të KE-së dhe DG Agri dhe strukturat shtetërore duhet të vihen në lëvizje. Pasi i jepet një subjekti që s’ka fare begraund bujqësor dhe jepen 3-4 herë grante me justifikimin se ka një projekt, ka një plan financiar. Ka një shumë të caktuar. Kjo është një abuzim i mirëfilltë me fondet”, përfundon ai./Gazetatema