Në Nikaluokta, një fshat i vogël i banuar nga populli indigjen Sami në Suedinë veriore, termometri tregoi minus 41.6 gradë herët të martën, raporton televizioni publik suedez SVT.
“Është temperatura më e ulët që kemi pasur deri më tani këtë dimër dhe do të jetë ende mjaft ftohtë në veri”, tha meteorologu i SVT, Nils Holmkvist.
Operatorët hekurudhor në Suedi thanë se moti i ftohtë shkaktoi probleme të konsiderueshme në trafikun hekurudhor në veri të vendit.
Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik Suedez raportoi një temperaturë prej minus 30 gradë në disa lokacione në pjesën veriore të vendit.
Një paralajmërim për borë dhe erë është publikuar edhe për Suedinë qendrore dhe jugore, me njoftimin se bora e kombinuar me erën mund të shkaktojë probleme nesër.
Në Finlandën fqinje, rekordi i ftohtë i këtij dimri është shënuar në qytetin veriperëndimor të Ilivijeska, ku temperatura ka rënë në minus 37.8 herët në mëngjes.
Në disa lokacione në rajonin e Laplandës Arktike, u regjistruan temperatura nën minus 30 gradë.
Nën valë të ftohtë ka qenë edhe kryeqyteti i Finlandës, Helsinki, i cili këtë javë pritet të jetë nga minus 15 deri në minus 20 gradë.
Instituti Meteorologjik Finlandez ka paralajmëruar mot dukshëm më të ftohtë që do të mbizotërojë në vend këtë javë dhe temperatura e parashikuar do të bjerë nën minus 40 gradë në disa pjesë të vendit.