Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për projektimin e ndërtimit të tunelit në drejtimin e ri rrugor Tetovë – Prizren
Studimi i fizibilitetit tregoi se më optimale është itinerari që fillon nga Tetova përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në Veshallë në anën maqedonase dhe përmes një tuneli do të lidhet me territorin e Republikës së Kosovës.
“Lidhja me Kosovën do të bëhet përmes ndërtimit të një tuneli 6.4 km të gjatë, për të cilin sot e nënshkruam këtë marrëveshje mes dy vendeve. E përmenda se është zgjedhur zgjidhja më optimale sepse rruga kalon nëpër qendrën e skijimit Kodra e Diellit, e cila është avantazh i madh për zhvillimin dhe rritjen e turizmit në këtë rajon. Ky është fillimi i një projekti të ri infrastrukturor që padyshim do të forcojë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer ekonomik me Kosovën”, tha zëvendësministri Bekim Rexhepi.
Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, theksoi se nga ana kosovare tashmë po punohet në rrugën që duhet të lidhet me Maqedoninë e Veriut përmes ndërtimit të tunelit të ri.
Të dy delegacionet zhvilluan takim dypalësh ku konfirmuan bashkëpunimin e mirë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës dhe theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për një integrim më të shpejtë evropian të rajonit.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 29 nëntorit miratoi marrëveshjen për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren, e cila u paralajmërua të nënshkruhet para në gusht të vitit që lam pas.
Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta.
Hapja e rrugës që do ta lidhte Tetovën me Prizrenin po mirëpritet nga banorët duke u konsideruar si projekt me rëndësi të veçantë.