Nga Hisen Berisha
Sot, më 17 shkurt 2024, edhe njëherë u mohua dhe u tentua të falsifikohet historia nga qeveria aktuale. Në foltoren e Kuvendit, edhe në mediumin publik RTK, e një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare mosmirënjohëse e dëshmon rrugëtimin e shtrembëruar të institucioneve.
Anatemimi i figurës së Presidentit Thaçi dhe minimizimi i rolit, si figurë qendrore e pavarësisë së Kosovës, sa është i turpshëm, është edhe i tmerrshëm për të ardhmen e vendit tonë.
Tendencat që paraqesin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si diçka të ardhur prej qiellit dhe dhuratë e bashkësisë ndërkombëtare, janë aq të pavërteta sa edhe të rrezikshme për kombin.
Minimizimi i rolit qendror të Presidentit Thaçi është në funksion të këtij qëllimi.
Me gjithë përkushtimin, vizionin dhe dëshirën e presidentit Rugova për liri, pavarsi e shtet, pa veprimin, përkushtimin, diplomacinë dhe trimërinë e Presidentit Thaçi, nuk do të kishim arritur deri te pavarësia.
Të mohosh presidentin Thaçi, njeriun që udhëhoqi krejt proceset e shtetformimit dhe shtetndërtimit, është turp dhe çmenduri.
Kjo çmenduri mund të përshkruhet vetëm në romanet e Orwellit dhe në shtetin tonë të udhëhequr nga Qeveria aktuale e Albin Kurtit.
Kjo është kultura e mjerimit, me të cilën po helmohet rinia e Kosovës!