“Presidenti i Republikës garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.
Kështu thuhet në pikën 2 të nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, aty ku flitet për Kompetencat e Presidentit, por që nuk po lexohet me kujdes nga presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.
Ndonëse ky përfufizim është i qartë, presidentja Vjosa Osmani nuk po arrin të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përkundrazi, presidentja Osmani në vend të zbatimit të obligimeve të saj që të “garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, ajo po e nxitë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të shkelë Kushtetutën e Kosovës, që pa vendim të saj të organizojë procesin zgjedhor që kërkon largimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës.
Për këtë, tashmë ekzistojnë dy dëshmi të bëra publike nga kabineti i saj si njoftime për media.
Këto fakte mund të jenë të mjaftueshme që presidentja Osmani të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për mosveprim në kryerjen e obligimeve të saj, por nxitje të institucionit tjetër që të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Këto dy qëndrime të Osmanit janë dëshmi e qartë se ajo ka hequr dorë nga detyra e saj që ia jep neni 84 (3) i Kushtetutës së Kosovës [Presidenti i Republikës shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë të tij] dhe nenit 4 (1) të Ligjit për Zgjedhjet Lokale [Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale].
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, i vetmi autoritet që mund të shpall një datë për zhvillimin e një procesi zgjedhor është Presidenti i Republikës së Kosovës.
Shmangia apo refuzimi i Osmanit për të nxjerrë vendimin për caktimin e datës së procesit të votimit, që do t’i paraprinte zgjedhjeve të reja në këto komuna është taktizim politik i presidentes për të ruajtur pozicionin e saj nga ndonjë shkelje eventuale e Kushtetutës së Kosovës, pasi që Kosova po përballet për herë të parë me një situatë si kjo në veriun e Kosovës, ku qytetarët nënshkruajnë peticion sipas nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Në fund të janarit, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, me të cilin diskutoi “lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje”.
Por, ajo që bie në sy në këtë njoftim është abstenimi i presidentes Osmani nga detyrat e saj dhe hedhja e përgjegjësisë vetëm tek KQZ-ja.
“Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përcjell Demokracia.com.
Edhe në një takim tjetër presidentja Osmani ka treguar se refuzon që ajo të nxjerrë vendimin me të cilin do të caktojë datën për organizimin e votimit, që i paraprin organizimit të zgjedhjeve në këto komuna.
Qëndrimin e saj me anë të të cilit ajo heq dorë përfundimisht nga ushtrimi i kompetencave kushtetuese që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore në Republikën e Kosovës, ua ka treguar shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ambasadorit të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorit të Gjermanisë, Mathias Conrad.
“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, thuhet në njoftimin e datës 21 shkurt 2024.
Shmangia apo refuzimi i presidentes Osmani që të veprojë ka sjellë hapin tjetër të diskutueshëm të saj – nxitjen publike të KQZ-së për të shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke organizuar procesin zgjedhor pa një vendim të Presidentit të Republikës, ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës. /Demokracia.com/