Nga Hisen Berisha – Deputet i Parlametit të Kosovës (PDK)
Për fillim, nëse kjo është e vërtetë, është skandaloze në vete, pasi Kosova me këto veprime po tregon mungesën e seriozitetit të saj. Kryeministri Kurti ka pranuar një draft parimisht, i cili bazohet në zotimin e përbashkët me Presidenten dhe Kryeparlamentarin, si dhe marrëveshjen e Planit Franko-Gjerman dhe Aneksit të Ohrit.
Me pranimin e draftit të statutit, Kryeministri është pajtuar që ta dërgojë vetë në Kuvend. Njoftimi i tanishëm se Kosova po përgatit një draft të ri është po aq i vonuar, sa dhe jo serioz, dhe me të gjitha këto përpjekje, Kosova ka humbur rastin për Këshillin e Evropës.
Në lidhje me njoftimin e Ministres Gërvalla, koha midis njoftimit dhe mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg është shumë e shkurtër për të arritur çdo sukses. Krijimi i një drafti të ri apo një njoftim i tillë përpara një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar mund të shkaktojë diskutime, por nuk ofron pretekst për dialog dhe përmirësim të bashkëpunimit, përveçse qëndrimit aktual që është më dëm për Kosovën.
Por, pavarësisht kësaj, komentet e Ambasadës janë më shumë të lidhura me sjelljen e qeverisë, megjithatë, pa dyshim, kanë ndikimin e tyre në të ardhmen e vendit në agjendën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ndërkohë që, Dyert e DASH tashmë janë të mbyllura për lidershipin kosovar në pushtet. Derisa në vitin e kaluar Kryeministri Kurti gjatë një vizite në SHBA, bredhte nëpër natyrë e vizitonte traktoristët e biciklistët, Presidentja me veshje sherifësh bënte Cowgirl-in nëpër rançet e Texasit.
Ky refuzim amerikan pritej që në ketë Qershor, të mbyllet me lista e masave nga SHBA, ndaj Kurtit e disa nga ministrat e tij, (për shkak të pengimit të zhvillimit të demokracisë; rrezikimit të së ardhmes së Kosovës dhe pengimit të gjeostrategjisë politike, ekonomike dhe të sigurisë rajonale e globale të SHBA). Kjo do ta fundosë politikisht Albin Kurtin. Kështu që, tani po e kërkojnë shpëtimin tek zgjedhjet. Por, Kurtit po i duhet një dakordim për zgjedhje me një parti që mban tagrin e luftës. Ndryshe proceset kardinale politike për shtetin e Kosovës, nuk mund të përmbyllen pa Partinë Demokratike të Kosovës, si autore e luftës, lirisë, pavarësisë e shtetbërjes!