Nga Hisen Berisha Deputet i Parlamentit të Kosovës (PDK)
Miratimi i ligjeve për Këshillin Prokurorial, Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media dhe Ligjin për Shërbyesit Publik përkatësisht administratën shtetërore, është edhe një hap drejt instalimit të diktaturës neokomuniste. Që nga ardhja në pushtet e kësaj kaste politike proletarësh të të gjitha rrymave ideologjike, Kosova është më në rrezik nga neokomunizmi i Kurtit, sesa nga sulmi nga Serbia.
Kjo ende nuk po shihet me seriozitet nga shoqëria civile, institutet studimore, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë. Miratimi i ligjeve të cilat i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese dhe për të cilat ka dhënë opinion negativ për ndryshime dhe plotësime Komisioni i Venecias, janë bërë vërejtje se nuk janë në frymën e standardeve ligjore të BE-së, tregon se këtu po bëhet hapi i radhës i pengimit të zhvillimit të demokracisë dhe me këtë shpërbërjes së shtetit të Kosovës.
Këto veprime të qeverisë dhe Kuvendit u kritikuan edhe nga përfaqësues diplomatikë nga vende partnere, të akredituar në Kosovë. Këta e bënë të qartë se harmonizimi i ligjeve me standardet e BE-së ka të bëjë me rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve, të cilët duan të jenë pjesë e familjes evropiane, prandaj kjo duhet përshpejtuar.
E kjo nuk mund të arrihet duke injoruar opinionet që kanë dhënë mekanizmat relevantë vendorë dhe ndërkombëtare. Në një vend ku Ministrja e Drejtësisë, përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese i rrëzoi ligjet, deklaron se, “megjithatë ligjet do të implementohen” dhe u sollën në kuvend e u kaluan me votat e mazhorancës, tregon për totalitarizëm në dhunim të demokracisë. Këtë ua mundëson arroganca e numrave në kuvend dhe mosgatishmëria për kompromis konsensual parlamentar. Kjo tregon se kemi të bëjmë me kastë politike me agjendë antishtet.