Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njëherësh njohës i dalluar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën vonë, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) mund t’i bëjë “hajr” vetes duke braktisur, siç ka vërejtur ai, politikën e dështuar të qetësimit të Serbisë.
“BE-ja mund t’i bëjë shumë mirë vetes duke braktisur politikën e dështuar të qetësimit të Beogradit dhe në vend të kësaj duke ripërtërirë angazhimin e saj ndaj të drejtave individuale të njeriut, si dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Serwer, derisa ka komentuar rreth procesit të ndryshimit të udhëheqësve në BE.
E emëruar zyrtarisht si shefe e diplomacisë së BE-së, ish-kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, ka postuar një fotografi në platformën “X” të hënën pasdite, derisa ka njoftuar se është duke bërë përgatitjet e fundit para seancës dëgjimore të Parlamentit Evropian (PE), ku edhe pritet të konfirmohet në pozitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së për pesë vjetët e ardhshme.
“Një fillim i ri: sapo kam mbërritur në Bruksel dhe mezi pres të takoj kolegët e rinj nga shërbimi diplomatik i BE-së. Javët e ardhshme do të jenë plot me takime dhe diskutime – një fokus i rëndësishëm do jetë përgatitja për seancën e konfirmimit në PE”, ka shkruar Kallas krahas fotografisë.
Një prej detyrave të Kallasit do të jetë edhe ndërmjetësimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas konfirmimit nga PE-ja, ajo pritet të emërojë edhe një të dërguar special për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili pritet të vazhdojë karrierën diplomatike në Zvicër.
Për vëzhguesit e dialogut Kosovë-Serbi, emërimi i kryeministres së parë grua të Estonisë në pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri është një lajm shumë pozitiv për Kosovën, posaçërisht në sfondin e procesit për normalizimin e marrëdhënieve, duke qenë se ndryshe nga Josep Borrell ajo vjen nga një shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës.