Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti e ka konfirmuar sot zhvillimin e një takimi me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, të ndodhur më 31 mars 2023.
Të premten, në raportim para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ajeti e ka pranuar se është takuar me Caka-Nimanin.
Pas raportimit të tij, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka thënë se shefi i inteligjencës, brenda mbledhjes së komisionit, e ka mohuar t’i ketë dorëzuar kryegjyqtares kushtetuese të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë.
“Z. Ajeti e ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur mirëpo ka thënë se në asnjë formë nuk ka të bëjë me atë se çka është raportuar në media. Qëllimi i takimit ka qenë ruajtja e kredibilitetit të sigurisë së vendit, prandaj unë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet t’i heqin dilemat për këtë institucion”, ka thënë Musliu
“Vepër penale” dhe “tërësisht të pavend” e ka cilësuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vizitën e dyshuar të shefit të AKI-së në Gjykatën Kushtetuese.
Hasani, në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova më 19 prill, ka thënë se nëse dëshmohet që shefi i inteligjencës ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai është implikuar në abuzim të detyrës zyrtare.
“AKI-ja asnjë autorizim dhe asnjë pikë bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese nuk e ka, asnjë. AKI mund ta vizitojë Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ka ndonjë raport personal, apo muhabet me dikë, ose kur të zgjidhet kryetari shkon me ia uru, e as kjo nuk është me vend”, tha Hasani të martën në Klan Kosova.
Hasani ishte shprehur se Gjykata Kushtetuese nuk e ka mandat luftimin e krimit, prandaj “AKI-ja nuk merr leje nga ky institucion për zhvillim të hetimeve qoftë brenda institucionit të gjykatës”.