Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është despot popullist pro-Kremlinit, rrënjët politik të të cilit janë në nacionalizmin ultra-djathtist – ai ka qenë ministër i propagandës në kohën e liderit serb, të akuzuar për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviq – i cili ka “dënuar sulmin e NATO-s ndaj Serbisë”, shkruan Guardian.
Gazeta britanike The Guardian shkruan për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe masën shtetërore të çarmatimit që u miratua pas dy ngjarjeve tragjike.
Kohë më parë “The New York Times” ka publikuar një artikull për lidhjet mes klanit Bellivuk dhe udhëheqjes shtetërore dhe tani për këtë po shkruan edhe The Guardian.
Gazeta britanike thotë se në një komb thellësisht të përçarë të mbushur me armë vdekjeprurëse, ku lavdërohen kriminelët e luftës, vend i “reality show-ve”, ku njerëzit janë ende të tronditur nga ngjarjet tragjike që ndodhën kohët e fundit, shumica dyshojnë nëse premtimi i presidentit për “çarmatosjen” e vendit do të jetë e mjaftueshme. Serbët kanë dorëzuar më shumë se 13.500 armë, pretendon The Guardian.
Por shumë serbë pyesin veten se çfarë tjetër fshihet pas kësaj – dhe sa shumë mund të ketë kontribuar Vuçiq në dhunën e tepruar në vend, me politikën e tij dhe në televizion, shkruan The Guardian.
Disa mbështesin masat e qeverisë. “Ka shumë dhunë. Nuk e di se si nuk janë marrë me këtë çështje deri më tani”, ka thënë Ivan Petroviq, pensionist. Por të tjerët nuk janë të sigurt. “Nuk di çfarë të mendoj. Kam një fëmijë dhe nuk ndihem e sigurt”, ka thënë Vesna Dragishiq.
The Guardian kujton se mijëra njerëz dolën në rrugët e Beogradit të premten në tubimin e dytë protestues “Serbia kundër dhunës” të udhëhequr nga opozita, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm dhe fundin e asaj që shumë e shohin si një kulturë dhune të propaganduar nga mediat dhe politikanët e partisë në pushtet.
Vuçiq akuzoi kundërshtarët e tij se po përpiqen të përdornin tragjeditë për qëllime politike dhe ka njoftuar planet e tij për tubimin në fund të majit. Ai ka thënë se “së shpejti” do të japë dorëheqje si lider i Partisë Përparimtare Serbe, duke premtuar zgjedhje të reja parlamentare para fundit të shtatorit, shkruan Guardian.
Askush nuk e di se sa armë ka në Serbi. “Kemi dezinformata nga qeveria. Por përllogaritjet për numrin total të armëve të ligjshme dhe të paligjshme supozohet se janë nga 1.5 deri në 3 milionë. Kjo është e frikshme”, thekson Maja Bjellosh, studiuese në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.
Ajo ka thënë se armët e mbetura nga luftërat jugosllave të viteve 1990-ta përfaqësojnë vetëm një pjesë të arsenalit. “Ka një traditë për armët e zjarrit në shtëpi, e cila bartet brez pas brezi, të qëllojnë në ajër gjatë festave”, ka thënë ajo.
Masat represive nuk do të ndihmojnë, ka thënë Bjellosh: “Serbia ka një nga numrat më të lartë të policëve për kokë banori në Evropë, por kjo nuk i ka bërë qytetarët të ndihen më të sigurt ose të zgjidhin problemin e dhunës”, përcjell Paparaci.
The Guardian përkujton se pavarësisht qasjes së lehtë në armë, të shtënat masive në Serbi ishin të rralla para këtij muaji, i fundit ishte në vitin 2013. Por mes vështirësive, trashëgimisë së luftës, korrupsionit endemik dhe niveleve të larta të dhunës në shoqëri, politikë dhe media, ekspertët prej kohësh kanë paralajmëruar se prania e kaq shumë armëve është një kërcënim.
Vuçiq dhe partia e tij në pushtet rregullisht i nënçmojnë kundërshtarët e tyre politikë dhe rivalët e huaj duke përdorur termat “vagabondë”, “hajna”, ndërsa seancat e parlamentit dominohen nga ofendime të vrazhda dhe agresive.
“Arma me të cilën janë vrarë fëmijët për një dekadë është e mbushur me të keqen. Nuk do të na shërojë edhe sikur të hiqen të gjitha armët dhe të gjithë sociopatët të vendosen pas grilave, për sa kohë që fati ynë është formësuar nga ai që zhbllokoi dhe e mbjelli të keqen”, ka shkruar në Twitter lideri i opozitës Zdravko Ponosh.
The Guardian citon gjithashtu një peticion të nënshkruar nga 450.000 njerëz që kërkon që dy stacioneve televizive pro-qeveritare t’ju hiqen licencat e transmetimit.
Mafiozët, kriminelët e luftës dhe huliganët famëkeq të dhunshëm të futbollit shfaqen rregullisht në skena televizive të stacioneve proqeveritare ku përfshihen rrahja e gruas dhe kërcënimi me armë, krahas programeve politike në të cilat Vuçiq dhe aleatët e tij fyejnë kundërshtarët e tyre.
“Në Serbi ekziston një industri popullizmi që është krijuar për të promovuar Vuçiqin dhe për të denigruar kundërshtarët e tij”, ka thënë Zoran Gavrilloviq, sociolog nga Byroja për Kërkime Sociale. “Dhuna e “reality show-t” shërben për të legjitimuar fjalorin agresiv politik. Gjuha e urrejtjes e përdorur nga personat kryesorë politikë dhe shoqërorë në Serbi dhe përmes mediave kryesore të regjimit, është bërë gjuha numër një në vend”, përcjell Paparaci.
Që kur Vuçiqi erdhi në pushtet, Serbia ka rënë nga vendi i 54-të në vendin e 93-të nga 180 vende në indeksin botëror të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij. Mediat e pavarura janë shtypur në mënyrë intensive ndërsa gazetarët janë sulmuar, shkruan The Guardian në analizën e tij.
Gazeta i referohet raportit të Parlamentit Evropian, ku ndër të tjera listohen edhe pengesat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Viola von Cramon ka thënë se çështjet kryesore janë sundimi i ligjit, liria e mediave dhe marrëdhëniet me Kosovën dhe Moskën. “Serbia duhet të tregojë qartë se dëshiron të anëtarësohet në BE”, ka thënë ajo. Koha e “uljes në dy karrige” dhe balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë ka kaluar.
Kllemen Groshel, eurodeputeti slloven, ka theksuar mungesën e përparimit në drejtim të një gjyqësori të pavarur dhe mediave që nuk janë të pavarura apo objektive