Akuza Kurtit, kritika opozitës, Ramës i bën “përshtypje të jashtëzakonshme” kryetari i Prishtinës

0
120

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama s’është i kënaqur me politikëbërjen në Kosovë. Mes marrëdhëniesh jo të mira me krerët e shtetit në Kosovë dhe mes vërejtjeve të tij për opozitën, Rama, piktor me profesion, ka gjetur “një djalë fantastik” i cili i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për Përparim Ramën, arkitektin që drejton Komunën e Prishtinës.

 

Ka kohë që Edi Rama dhe Albin Kurti nuk takohen si miq të mirë. Madje kryeministri i Kosovës ka refuzuar ta presë kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë dhe më pas nuk i ka shkuar në një takim me liderët e rajonit në Tiranë.

Marrëdhëniet u çanë më së shumti pasi Rama anuloi një mbledhje të dy qeverive të paraparë të mbahej në qershor dhe Kurti foli për një “lëngim” në raportin Kosovë-Shqipëri. Kryeministri shqiptar i konsideronte “të tmerrshëm” dhe “katastrofë” qëndrimin e kryeministrit të Kosovës përballë ndërkombëtarëve që i kërkonin t’i bënte disa hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.

“Këtë lloj ulje dramatike të reputacionit, të besimit, të sensit të seriozitetit në sytë e të gjithë bashkësisë euroatlantike, Serbia as nuk ia bëri as nuk ia bën dot kurrë Kosovës. Kosova po ia bën vetë vetes me një shpejtësi marramendëse duke u vete izoluar në emër të Kushtetutës dhe të ligjit, po për çfarë?”, është shprehur Rama në një prej paraqitjeve të shpeshta publike të fundit, ku temë kryesore e kishte Kosovën.

Përveç vërejtjeve të mprehta që ia drejton shumë shpesh Kurtit, Ramës duket se nuk i po pëlqen as opozite bërja në Kosovë.

Kur para disa ditësh pati dhunë në Kuvend, Rama reagoi duke e kritikuar opozitën kosovare për sjelljen.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkroi Rama në Twitter.

Pas ish-presidentit Hashim Thaçi, për të cilin thotë “e kam vëlla”, Rama duket se nuk ka më raport të mirë deri në atë shkallë me ndonjë politikan në Kosovë. Raportet s’i ka të tilla as me presidenten Vjosa Osmani që para pak kohësh drejtonte një sërë akuzash e ktitikash ndaj Ramës, ndër tjerash, edhe nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë në fund të vitit 2020, në një nga vizitat më të tensionuara ndonjëherë që një shef/e shteti e ka zhvilluar atje. Raportet s’i ka të tilla as me krye parlamentarin Glauk Konjufca.

Përparim Rama fiton simpatinë e Edi Ramës

Në Prishtinë duket se ka një politikan që tash po i pëlqen shumë Edi Ramës. Bëhet fjalë për Përparim Ramën.

Kryeministri shqiptar ka folur me simpati për kryetarin e Prishtinës, të cilin tha se e ka takuar për herë të parë vetëm para pak javësh.

Të shtunën në “Podcast” me karateistin kosovar, Alvin Karaqi i cili fitoi medalje ari në Lojërat Europiane “Krakow 2023”, Edi Rama e lavdëroi shumë Përparim Ramën, ndërsa tha se po sheh përmirësime në kryeqytetin e Kosovës.

“Megjithatë, unë mendoj që ka pasë përmirësime edhe qyteti. Është qytet urbanistikisht shumë i vështirë. Është shumë i ndërthurur si të themi, në një mënyrë që e bën të vështirë që ta lehtësosh, ta zhvillosh në një formë që të bashkërendojnë të gjitha nevojat, por mendoj që janë bërë gjëra pozitive”, tha Rama.

Rama, piktori dhe Rama, arkitekti, duket se patën një takim të mirë në koncertin e tenorit Ramë Lahaj në Ulqin më 30 qershor.

“Dhe pata mundësinë të ulem dhe të takohem me këtë që e kemi mbiemrin e përbashkët. Nuk e kisha taku më parë dhe u takuam në Ulqin kur shkova për të ndjekur koncertin e Ramë Lahajt. Dhe më bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Një djalë fantastik, me shumë dëshirë, me shumë vullnet dhe mbi të gjitha shumë i përulur në sensin ‘humble’, respektues – se ne nuk e kemi këtë fjalën ‘humble’ tamam në shqipen tonë dhe ky është një problem – por domethënë i përulur në sensin modest. Modest jo fallco, por modest, megjithëse duket qartë se është një njeri jo vetëm me botë por edhe me dije të rëndësishme dhe them që është një mundësi e mirë për Prishtinën”, tha kryeministri shqiptar.

Ai tha se s’ka mundur të dalë dhe të shohë se çfarë është bërë në Prishtinë, por shtoi se ndien që “ka një gjë aty që po lëviz”./ G.E

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here