Nga Bastri Beka / Feniksi
Tashmë dihet se i ndjeri Faton Hajrizi ka patur statutin e veteranit të luftës së UÇK-së. Si qytetar dhe veteran i luftës së UÇK-së, kërkoj nga organet e drejtësisë që urgjentisht të marrin masa dhe të arrestojnë përgjegjësit e një abuzimi të tillë. Faton Hajrizi nuk ka qenë dhe as nuk ka mundur të ishte luftëtar i UÇK-së për shkak të moshës që kishte.
Arrestimi dhe dënimi i atyre personave që i kanë dhënë statusin e veteranit do të tregonte se ka gatishmëri për të vendosur drejtësi për abuzimin me listat e veteranëve. Në të kundërtën, kjo do të tregonte se nuk ka gatishmëri të organeve të drejtësisë, e në veçanti të pushtetit aktual në Kosovë. Kjo tregon se rastet me lista të fryera të veteranëve janë përdorur nga partia në pushtet, dhe se kanë abuzuar me këtë fenomen duke e përdorur vetëm për qëllime elektorale. Nuk kanë qëllim ta zbardhin dhe të gjejnë veteranët e rremë, duke dhënë indikacion se vetë kanë kontribuar në fryrjen e listave.
Ky përfundim logjik vjen duke ditur se u hesht rasti “sekseri” dhe u fsheh skandali më i madh i tjetërsimit të pronës publike nga Spitali Amerikan. Prandaj, mosveprimi urgjent tregon se në Kosovë nuk kemi qeveri që ka qëllim të luftojë krimin, por një qeveri e cila përfiton nga krimi dhe propaganda e luftës kundër krimit.
Prandaj qeveria duhet të tregojë vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve me listat e veteranëve. Dhënia e statusit të veteranit për ata që nuk e meritojnë është një fyerje për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe luftuar për lirinë e vendit. Organi i drejtësisë duhet të veprojë menjëherë për të hetuar dhe arrestuar përgjegjësit e këtij skandali.
Nëse nuk veprohet tani, pas këtij rasti ku zbulohet hapur se ka keperdorim dhe futje në listë të personave që nuk kan qenë luftëtar të UÇK-së e aq më pak të një përsoni me precedent penal, besimi i qytetarëve në drejtësinë tonë do të humbasë edhe më shumë. Ne nuk mund të lejojmë që abuzimet të vazhdojnë pa ndëshkim. Vetëm duke vepruar me vendosmëri dhe drejtësi mund të mbrojmë nderin e vërtetë të veteranëve të UÇK-së dhe të tregojmë se Kosova ka institucione që luftojnë krimin dhe korrupsionin.