Në kohën kur ish-kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski u arratis për në Hungari, nga Aleanca për Shqiptarët reaguan përmes një komunikate për media.
“Ky vend do të jetë pa mentalitetin e Gruevskit dhe mbetjet e tij në pallatin e bardhë, të nxirë nga krimet”, thuhej aso kohe në njoftimin e Aleancës për Shqiptarët, kundrejt VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit.
Mirëpo, pjesë e VMRO-së në ato vite ishte dhe ministri në shkarkim, Azir Aliu, i cili shërbeu si këshilltar i Nikolla Gruevskit.
Aliu pas përmbylljes së atij kapitulli, për gati 1 vit ushtroi detyrën si Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë, mirëpo tashmë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Se Aliu ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Gruevski shkruhet edhe në biografinë e tij, ku ndër të tjera Aliu ka deklaruar se nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka punuar si këshilltar për arsimin e lartë, shkencë dhe TIK në kryeministri, pikërisht në atë kohë kryeministër ishte Nikolla Gruevski.
Ndonëse Gruevski nuk është i pranishëm në skenën politike duket se nostalgjia e asaj kohe ekziston ende, tashmë kur në ASH ka ndasi politike, jo rastësisht mund të vërejmë së Aliu insiston që opozita shqiptare të vijoi në bashkëpunim me opozitaren VMRO-DPMNE.
Ndryshe, kujtojmë se sot nga Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate për media kanë njoftuar se komisioni kadrovik i kësaj partie ka propozuar shkarkimin e Aliut nga posti i Ministrit të Shoqërisë Infornatike dhe Administratës./Indeks.mk