Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, komentoi blerjen e sistemit raketor “Javelin” nga ana e Kosovës. Daçiç tha se në rast të shpërthimit të luftës “Kosovës s’do t’i kryenin punë as një milion ‘Javelin’”.
“Ne kemi një problem më të thellë, këtu bëhet fjalë për interesa strategjike afatgjatë për të ndihmuar pavarësinë e Kosovës, të cilën ne e kundërshtojmë. Gjithçka që ka ndodhur që nga viti 1999 duhet të merret parasysh. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u armatos nga Gjermania, SHBA dhe vendet islamike. Tani po ndodh e njëjta gjë”, u shpreh ish-kryediplomati serb në një paraqitje televizive për “Tv Pink” të dielën.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi ditë më parë se Kosova kërkoi që të blejë sistemin raketor Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarë amerikanë, ndërsa sipas Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), në pako përfshihen gjithsej 246 raketa anti-tank “Javelin” FGM-148F dhe 24 njësi për lëshimin e raketave.
DASH-i njoftoi se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, paraqiti të enjten para kongresit propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave dhe pajisjeve të tjera për Kosovën – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik, në përputhje objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përveç sistemit të fuqishëm turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, pritet të jetë edhe sistemi anti-tank amerikan “Javelin”, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës kohën e fundit – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë./eo