Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ia kanë ndaluar hyrjen në këtë shtet ish-shefit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, Nexhat Krasniqit dhe fëmijëve të tij, nën arsyetimin se është i përfshirë në korrupsion të madh.
“Shtetet e Bashkuara po e cilësojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Veprimi i sotëm, sipas këtij njoftimi, demonstron se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë.
Në njoftim theksohet se SHBA-të angazhohet për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre.
“Departamenti po ashtu është duke i cilësuar fëmijët e Krasniqit, Aulona Krasniqin dhe Olti Krasniqin, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e DASH-it./RTK