Shkup, 15 nëntor – Dita e dytë e edicionit të pestë të “Ditëve të Alfabetit” iu përkushtua kryekëput veprimtarisë së arkeologes së mirënjohur Edi Shukriu, prezantimin multidimensional i së cilës u bë nga studiuesit e Institutit i Prishtinës “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Departamenti i Arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, vlerësoi kontributin e Shukriut si një veprimtare në kohëra të vështira, ndërkaq edhe drejtoresha e Institutit “Ali Hadri” Teuta Shala duke ndarë qëndrimin e njëjtë, përmendi disa nga arritjet e shumta të Shukriut në fushën e trashëgimisë kulturore, në universitet, si dhe në angazhimet e saj politike dhe shoqërore.
Kumtesat që filluan me atë udhëpërshkruese të studiuesit Arben Hajdari me temën “Prej lokalitetit arkeologjik te mësimdhënia në universitet”, kishin pika referimi nga më të ndryshmet. Emine Hajdari me studimin “Dardanët dhe Dardania në studimet akademike të Edi Shukriut” , Ilir Sulaj me temë “Reflektimi i Edi Shukriut mbi sakralitetin”, Arian Krasniqi me temën “Krijimtari dramatike e Edi Shukriut”, Gjon Berisha me “Kisha e Shën Premtes në kontekst paleokristian”.
Nder i veçantë i këtij manifestimi ishte dhe prezenca e znj. Edita Tahiri me temën “Edi Shukriu dhe shtetndërtimi”, e cila si aktiviste e shquar politike, ka pasur miqësi të ngushtë me Edi Shukriun e lidhur në rrymat aktiviste për pavarësi dhe liri.
Në ngjarje u prezantua edhe studimi i Jean-Luc Lamboley me temë “2006-2010: Lindja e bashkëpunimit të madh arkeologjik franko-kosovar”, proces në të cilin Edi Shukriu kishte një rol qendror. Nga shkenca kaluam edhe te poezia me studiuesin Arsim Canolli i cili foli mbi “Areopoetiken e Edi Shukriut”.
Ngjarja u përmbyll me fjalimin përshëndetës të Tahir Latifit, Shef i Departamentit të antropologjisë në Universitetin e Prishtinës me urimin që aktivitetet dedikuar kësaj figure të mos rreshtin asnjëherë.
Fjalimi i ish diplomates Edita Tahiri për miken dhe bashkëveprimtaren e sajë Edi Shukriu
Ju falënderoj, për këtë ftesë të veçantë, për të folur për Prof.Dr.Edi Shukriun, një figure emblematike për historinë tonë kombëtare dhe në veçanti për historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
U ndjeva shumë e lumtur kur mora këtë ftesë, sepse Edi Shukriu është mike e jetës sime dhe bashkëpunëtore në rrugën tone të rëndë plot sfida dhe rreziqe për ta realizuar ëndrrën e popullit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që e gëzojmë sot.
Sot kur po flasim Edi më nuk është me ne, por ajo gjithmonë do të jet me ne e gjenerata përjetë sepse ajo la një trashëgimi të pashlyer për kombin, shtetin e Kosovës, për historinë e lirisë dhe pavarësisë, për poezinë e dramën, për arkeologjinë, akademinë e shumë fusha tjera.
Edi ishte model i intelektuales që nuk u mjaftua me kaq, ajo ishte veprimtare politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte lëvizje gjithë popullorë paqësore për liri, demokraci dhe pavarësinë e Kosovës, të udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova dhe strategu Fehmi Agani. Edi ishte anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK gjatë gjithë dekadës së okupimit.
Edi ishte bashkëpunëtore e imja e ngushtë, në kuadër të veprimtarisë sime diplomatike gjatë periudhës së okupimit të Kosovës 1989-1999.
Edi ishte pjesë e Ministrisë së jashtme të Republikës së Kosovës, si anëtare e grupit të ekspertëve, në krahë të ekspertëve, si Gazmend Zajmi, Hivzi Islami, Bajram Kelmendi dhe Rexhep Ismajli, Ministri kjo e themeluar nga unë si Ministre e Jashtme e Kosovës në periudhën e okupimit 1991- 1999. Krenohej me ilirët, jetonte me hulumtimet dhe të gjeturat arkeologjike që I prezantoi librat e saja të shumta në këtë temë. E kisha pyetur njëherë, a kanë pasur Ilirët të meta, duke i thënë si në humor, se në shqiptarët vetëm anët positive I afirmojmë. Edi u përgjigj, tha po, Ilirët nuk na kanë lënë fakte të shkruara, na kanë lënë vetëm fakte materiale.
Ky fakt mu ngulit në mendje. Pas kthimit nga Konferenca e Paqes së Rambujes, që i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë, së bashku me bombardimin e Serbisë nga SHBA dhe NATO, kur u çliruam shkrova librin për Konferencën e Rambujes, ndërsa në hyrje citova Edi Shukriun.
Citat:
“ E kaluara jonë ishte me zbrazëtira në regjistrimin autentik të rrjedhave historike të kombit shqiptar. “mjerisht ilirirët nuk na lane gjurmë të shkruara…ne duhet ta shkruajmë historinë tone, pohon arkeologia dhe historiania Edi Shukriu.”