TIRANË, 29 shkurt – Liderët pjesëmarrës në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë realizuan foton familjare.
Liderët e rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në kuadër të këtij samiti, pritet tashmë dhe nënshkrimi i një marrëveshje, ku në thelb do të jetë angazhimi i përbashkët i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE për zbatimin e planit të ri të hartuar nga BE për nxitjen e integrimit më të shpejtë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin në familjen e madhe Evropian.
Në fund të samitit pritet të mbahet dhe konferenca për shtyp përmbyllëse e punimeve./ATSH/