Masa ligjore dhe politike për mbrojtjen e legjitimitetit paralajmëroi Fronti Europian në Akademinë e organizuar për 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Krerët e partive politike që e përbëjnë këtë bllok opozitar thanë se përfaqësimi aktual i shqiptarëve është i turpshëm, paraqet nënçmim dhe tallje. Paralajmëruan masa për të mbrojtur legjitimitetin të shprehur me votë, përndryshe thonë se zgjedhjet nuk kanë a kuptim.
Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, foli për masa ligjore dhe politike për të mbrojtur legjitimitetin dhe për të zbatuar edhe më tej Marrëveshjen e Ohrit.
Përpos masave ligjore, kanë paraparë edhe masa politike. Ato janë kredibiliteti dhe llogaridhënia, demokracia konsociative dhe drejtësia politike. Në zbatimin e këtyre masave, siç njoftoi Osmani, do të përfshihen parimet dhe praktikat nga Irlanda e Veriut, Belgjika dhe Zvicra.
Ndërkohë kreu i Qeverisë, Hristijan Mickoski, thotë se Marrëveshja e Ohrit për BDI-në tanimë ka përfunduar dhe shprehë shqetësimet e tij se kjo parti është shndërruar në faktor destabilizimi.
Ndërsa lideri i Frontit Europian Ali Ahmeti ne profilin e tij zyrtar ne Facebook shkruan
“Sot në Shkup shënuam 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit e cila i dha fund luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe i hapi rrugë paqes dhe barazisë.
Rruga nuk ishte e lehtë, por hap pas hapi, nga të përjashtuar e diskriminuar, arritëm tek Kryeministri i parë shqiptar dhe të qenurit të zot të shtëpisë tonë.
Ngritja e shqiptarëve në aspekt të arritjes së barazisë dhe dëshmimit të kapaciteteve administrative dhe drejtuese të shtetit, verbësoi dashakeqët dhe ata që nuk duan barazi dhe nuk duan shtet të barabartë, por na shohin si qytetarë të rendit të dytë.
Puna jonë e përbashkët solli barazi, miqësi amerikano-europiane, NATOnë, hapje bisedimesh për anëtarësim në BE, mijëra punësime, ndërtim të aortave me Shqipërinë dhe Kosovën, universitete, shkolla, çerdhe, spitale, përfaqësim të drejtë e adekuat e shumë e shumë projekte të realizuara e dyer të hapura për shqiptarët dhe të gjithë të tjerët.
Ju penguan shqiptarët e ditur dhe punëtor dhe gjetën ca shqiptarë pa kushte, ca që nuk ishin as bira e fundit e kavallit në punët e realizuara në 23 vitet e kaluara, ca që pranojnë të janë hyzmeçarë e puthadorë, që mbyllin sytë ndaj zhbërjes së çdo të arriture kombëtare.
Duhet ta dijnë që ky shtet mund të mbijetojë vetëm në harmoni midis shqiptarëve dhe maqedonasve bashkë edhe me të tjerët, e jo duke promovuar mos respektim te legjitimitetit e supremaci etnike.
Kjo sfidë kërkon përkushtim maksimal nga secili prej nesh, në çdo vendbanim, në secilën familje, andaj dhe ju ftoj ti bashkangjiteni lëvizjes kombëtare për legjitimitet dhe dinjitet.”