Kryetari i Aleancës për Ardhërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur deklarata të ndryshme nga kolegët e tij opozitarë, pas takimit me emisarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.
Ndryshe nga kolegët e tij, Haradinaj tha se në takim kanë pasur mundësi që siç tha ai “të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën”.
“Sapo përfunduam një takim me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Lajçak por edhe me ekspertë të tjerë që ishin me të, po ashtu patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi edhe të zhvillojmë një bisedë në lidhje me hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe atë çka mund të presë Kosova po ashtu pas implementimit të obligimeve që i ka marrë në bazë të planit frako-gjerman”- deklaroi Haradinaj.
Ai tha se drafti i shpjegon të të gjitha mundësitë që asociacioni ia jep komunave me shumicë serbe dhe se sipas kryetarit të AAK-së, çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“E kemi lexuar draftin në tërësi, drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që asociacioni ia jep komunave me shumicë serbe, kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshohen përgjegjësitë e komunave, komentet se a pajtohemi më këtë draft do ti japim për shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Kushtetuesja dhe të gjitha aktet tjera”- tha Haradinaj.
“Ajo që për mua është me rëndësi në implementimin pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, me implementimin e Asociacionit, Kosova e bën një hap përpara dhe mundem me thënë se është kompromis i madh i Kosovës që buron nga obligimi i marrë shumë më herët edhe Kosova me të drejtë kërkon një procedurë të shpejtë për anëtarësim në NATO”- shtoi ai./Kallxo.com