Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për median italiane se nuk ka marrë kritika nga socialistët europianë për marrëveshjen e lidhur me kryeministren italiane për ngritjen e qendrave të refugjatëve në Shqipëri.
Në kongresin e Partisë Socialiste Europiane në Malaga të Spanjës, marrëveshja e nënshkruar prej tij dhe Melonit është kritikuar ashpër. Ka qenë vetë presidenti i PSE, Stefan Lofven, i cili ishte mjaft kritik në fjalën përmbyllëse të kongresit për marrëveshjen.
“Emigracioni duhet të menaxhohet duke përdorur një kornizë progresive. Ne duhet të promovojmë shtigje gjithpërfshirëse, duhet të gjejmë mënyra për ta bërë atë një fitore për shoqëritë tona dhe emigrantët, ky është modeli që propozojnë socialistët.
Jo siç dëshiron qeveria e ekstremit të djathtë në Itali, që synon t’i transferojë kërkesat për azil Shqipërisë. Emigracioni ka ekzistuar sa ka ekzistuar njerëzimi dhe e djathta merret me demagogji kur thotë se mund ta ndalë, këto janë politika të destinuara të dështojnë,” tha presidenti i PSE.