Sot, paska ikur shqiponja e valles shqipe nga Pollogu, HISEN BERISHA – BACA CENË në fluturimin e tij të fundit – pakthim. Në mitologji besohej se shqiponja është shpend i dritës dhe emancipimit që simbolizon diellin, lartësitë, thellësitë, ajrin dhe dritën!
Një shqiponjë e vërtetë e shqiptarëve në RMV, na la sot, në këtë ditë që për komunitetin artistik do të jetë ditë e humbjes së madhe!
Baca Cenë ishte simboli i valles shqipe, në veçanti shqiponja e Sharrit plak dhe bir besnik i Pollogut që e dashuronte me zemër vallen shqipe dhe atdheun pa kufinjë!
Baca Cenë, më priti disa herë në dhomën e tij “muze” ku kishte ndërtuar me duart e veta historinë shqiptare përmes fotografive që paraqisnin personalitete të rralla e momente të veçanta të tij, babait dhe familjes së fisme shqiptare- Berisha!
Baca Cenë ishte shqiptar i madh i cili më falte aq krenari sa herë e takoja!
Jam shumë i lumtur që amanetin e tij të parë për të vënë një valle burrash- kaçakë në skenë e realizuam me aq sukses dhe dy javë më parë në vizitën që i bëra pata mundësi të flas gjere e gjatë për atë realizim dhe shumë plane e projekte të ansamblit!
Jam krenar që emri i Bacës Cenë, institucionalisht u shkrua me shkronja të arta duke hyrë në mesin e personaliteteve të rralla që morën “Medaljen e Ansamblit”! Në fakt kjo ishte më e pakta që ai e meritonte dhe jam i lumtur që e realizuam dhe ia dorëzuam sa ishte pranë nesh fizikisht, dy javë më parë, me 28 mars 2024!
Ndonëse i rënduar nga shëndeti, dera e tij u hap me po të njejtën dashuri! Amaneti i tij i fundit ishte “ mos harrohen traditat kombëtare e legjendare shqiptare”! Ky amanet më jep përgjegjësi të madhe që puna, vizioni, dashuria e gjithë sakrifica e bacës Cenë për folklorin e vlerat tona të kapitalizohet dhe mbi atë bazë të ecim përpara që të mos i mbulojë pluhuri i harresës vlerat që kultivoi baca Cenë!
Jam tejet i indinjuar teksa shkruaj këto fjali pas lajmit të kobshëm që mora familja e tij dhe njëkohësisht i privilegjuar që baca Cenë, në momentet e fundit kishte porositur familjarët që të më lajmërojnë personalisht që ai po na lë dhe në homazhet e nderimit për të do kishte dëshirë të jem dhe unë!
Baca Cenë, sot na la por jo edhe personaliteti i tij që do jetojë përjetësisht bashkë me qindra valle, koreografi dhe aktivitete që ia la trashëgimi popullit shqiptar dhe trevave të Maqedonisë së Veriut si pionier i rrallë i valles shqipe!
Baca Cenë, do të vazhdojë të jetojë me ne si shqiponjë dinjitoze e anëve të Pollogut që do të shpërndajë rreze drite e krenarie për folklorin e kulturën tonë!
Sa herë do kaloj nga dera e Bacës Cenë apo edhe ta kujtoj atë, do marr forcë për të vazhduar misione të rëndësishme sepse me përkushtimin, sakrificat e sfidat 40 vjeçare në karrierën e tij ai u shndërrua në modelin e përkryer për mua si artist dhe drejtues institucioni!
Në emër të gjithë artistëve, administratës dhe bashkëpunëtorëve të Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV, shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e bacës Cenë dhe gjithë komunitetin artistik që humbën ikonën e këtyre trevave!
Të prehet në paqe trupi i bacës Cenë e të fluturojë përtej lartësive shpirti i tij që reflektonte e barte vetëm dashuri!
Lamtumirë- shqiponja e valleve shqipe të trevave tona!
Me përulje, dhembje dhe plot sinqeritet
Shkodran Tolaj- drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV