Seanca plenare e kësaj të hëne, ku u miratua me 73 vota pro projektbuxheti, është shoqëruar me përplasje të forta, njoftojnë mediat në Shqipëri. Kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike ata të cilët kanë ndezur flakadan të shumtë në sallë, një prej të cilëve ka shpërthyer në flakë.
Salla u boshatis pas flakëve në Kuvend, ku ministrat dhe deputetët u larguan menjëherë, madje pas tyre dhe gazetarët.
Maxhoranca miratoi pa diskutime projektbuxhetin për vitin 2024 brenda 5 minutave, duke shënuar seancën më të shkurtër të Kuvendit në historinë e parlamentarizmit.
I pranishëm në seancë ishte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili nuk e mori fjalën, por mori pjesë në votimin e projektbuxhetit.
Flakët u përhapën pasi një prej flakadanëve ra mbi ulësen e tavolinës së një prej deputetëve të opozitës.
Ka qenë ndërhyrja e gardës me ujë që parandaloi përhapjen e flakëve.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për kaosin që Rithemelimi shkaktoi në Kuvend, ku pritej të diskutohej projektbuxheti 2024. Rama shkruan se ata kanë prekur fundin dhe se po përdoren nga Sali Berisha, një person që e cilëson në kërkim nga drejtësia për aferën Partizani, pasi ish-kryeministri ka refuzuar të paraqitet për masat e sigurisë. Rama thotë se Berisha nuk do t’i lëshojë derisa t’i shkërmoqë.
Rama: I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur.