Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës, ka bërë përparim të madh, ndërsa ka përmendur edhe dyfishimin e buxhetit për armatim, ndërsa ka thënë se FSK-ja e ka origjinën nga UÇK-ja, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për funksionimin e FSK-së, Kurti ka ka përmendur blerjen e dronëve “Bayraktar”, ndërsa ka premtuar që do t’i shtohen sistemi amerikan raketor anti-tank, “Javelin”.“Sot, ritmi i hapave tuaj e i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur, na kthehet në ritëm të zemrave tona të neve që ju shohim me kaq admirim dhe nderim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë aq të llojllojshme dhe kaq moderne, shumë prej të cilave na i tregoni sot për herë të parë, janë zgjatime të vet duarve tuaja të fuqishme në gatishmërinë e përhershme të secilit prej jush, për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve”, u shpreh ai.Me ndjesitë e kësaj dite të veçantë, kryeministri u shpreh shumë i gëzuar për përparimin e madh dhe të shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo, siç tha ai, është arritur si rezultat i investimeve dhe punës sonë të përbashkët veçanërisht gjatë tri viteve të fundit, gjatë të cilave buxheti për ushtrinë është më shumë dyfish më i lartë; janë rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, të cilëve këtë vit do t’iu bashkohen edhe 600 rekrutë të tjerë; investimet në armatime janë trefishuar, dhe tani ushtarët janë të pajisur edhe me armë kalibrash të rëndë; me mijëra tyta artilerie dhe deri me dronët Bayraktar, të cilëve së shpejti do t’iu shtohet edhe sistemi amerikan reaktor antitank “Javelin”.
“Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot dhe më e mirëarmatosur dhe pajisur; kurrë nuk ka qenë më e stërvitur dhe më e trajnuar e shkolluar nëpër akademitë ushtarake më prestigjioze të ushtrive mike perëndimore. Por, edhe kurrë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e shtetit tonë dhe jetët e qytetarëve tanë. Sepse ky është misioni i saj, ta mbroj Kosovën dhe të zhvillohet e të avancojë krah aleatëve tanë, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në vend, në rajon dhe në botë”, tha ai.Për këtë, kryeministri u shpreh se nuk mund të ishte ndryshe, sepse Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në krye si prijës dhe si shembull e kishte Adem Jasharin.“Ajo UÇK që po kështu me pak armë të vogla personale e filloi luftën për çlirim, por me vullnet të pathyeshëm e arriti atë 25 vjet më parë, bashkë me aleatët tanë. Të dashur ushtarë: trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sot është e përbashkuar mes jush te Forca e Sigurisë së Kosovës dhe te komandanti i saj e i juaji e i yni, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nipi i Ademit e i Hamzës”, nënvizoi kryeministri.
Në fjalën e tij, ai tha se do të dëshironte që në këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin tonë, kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të Kosovës, të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për lirinë, që sot pikërisht në 25-vjetorin e çlirimit, para gjithë botës, ta shpallim etikën e lirisë sonë.Për fund, theksoi se liria e Kosovës, rrjedhë nga angazhimi i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i të gjitha gjeneratave para nesh, që e ruajtën ëndrrën për lirinë dhe që punuan e sakrifikuan për jetësimin e saj.“Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve të lirisë dhe martirëve të rënë për të. Liria e Kosovës u arrit mes vuajtjesh të mijëra të burgosurve politikë që kaluan qindra shekuj kohë nëpër burgje me në krye Adem Demaçin. Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit, hynë në Kosovë më 12 qershor 1999. Atë ditë NATO hyri në Kosovë, kurse përditë ne jemi më afër hyrjes në NATO!”, tha kryeministri Kurti para se t’i uroj të gjithë qytetarëve 25-vjetorin e çlirimit, dhe shpreh nderimet më të larta për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, kudo dhe kurdo.